Lajme

Kristof Bender për Albanian Post: Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, kurrë s’ka qenë më e lehtë


Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, për njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare, nuk ka qenë kurrë më i mundur sesa pas suspendimit të Rusisë nga kjo organizatë.

Njohësit e integrimeve evropiane thonë se, Kosova tashmë i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe zotëron shumicën e votave, prandaj Qeveria e saj duhet ta shfrytëzojë maksimalisht momentumin e krijuar pas invazionit rus në Ukrainë dhe të aplikojë sa më parë në Këshillin e Evropës.

Për hulumtuesin e politikave të zgjerimit të Bashkimit Evropian, Kristof Bender, shanset që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës janë mjaftë të mëdha, marrë parasysh këtu faktin që Kosova posedon shumicën absolute të votave.

“Vendimet për anëtarësim në Këshillin e Evropës kërkojnë mbështetjen e 2/3 e të gjithë anëtarëve me të drejtë vote. Me Rusinë të pezulluar aktualisht, kjo do të thotë 31 nga 46 vota. Me 34 anëtarë të Këshillit të Evropës që e kanë njohur Kosovën, ka një shans të mirë që kjo të ndodhë, veçanërisht nëse disa shtete anëtare mike shtyjnë aktivisht për këtë me argumente të qarta”, pohon Bender për Albanian Post.

Bender, i cili është hulumtues i lartë dhe zëvendëskryetari i organizatës jo-qeveritare, European Stability Initiative, ka treguar se cilat do të duhej të ishin procedurat e anëtarësimit të plotë të Kosovës në Këshillin Evropës.

Sipas tij,  Malit të Zi – anëtarit më të ri të Këshillit- iu deshën më pak se një vjet për tu bërë anëtar i plotfuqishëm me të drejtë vote.

“Ajo që kërkohet fillimisht është aplikimi për anëtarësim nga qeveria e Kosovës. Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës do t’i kërkojë më pas një opinion mbi aplikimin nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës. Pas përgatitjes së një opinioni të tillë, Komiteti i Ministrave pritet të votojë për një rezolutë e cila – nëse miratohet – do ta bënte Kosovën anëtare”, ka shtuar ai.

Kristof Bender

Përkitazi me argumentet e Bender, është edhe njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Drilon Gashi, i cili kërkon që Qeveria e Kosovës të kultivojë marrëdhënie të shëndosha me anëtarët e këshillit në mënyrë që të përgatis terrenin për anëtarësim.

Për Gashin, përpjekja e Kosovës duhet të fokusohet në atë që anëtarësimi i plotë të përfundojë për tre deri në gjashtë muaj.

“Kosova është demokraci e zhvilluar e cila plotëson kushtet sipas nenit 3 të statutit të Këshillit që thotë se ‘secili anëtar i Këshillit duhet të pranoj parimet e sundimit të ligjit dhe që të gjithë njerëzit brenda jurisdiksionit të saj të gëzojnë të drejtat njerëzore dhe liritë themelore, dhe që bashkëpunon në mënyrë efektive për të realizuar qëllimin e Këshillit siç saktësohet në Kapitullin 1’, potencon Gashi për AP.

Gashi, njëjtë si Bender thotë se hapi i parë që Kosova duhet të ndërmarrë është fillimi i procesit të anëtarësimit e cila e shpie atë drejtë organizatës si anëtarë vëzhgues – status të cilën Kosova e posedon deri sa mbaron e gjithë procedura e anëtarësimit.

“Kosova duhet të aplikojë në Këshillin e Evropës sa me parë që të jetë e mundur. Edhe pse suspendimi i Rusisë ka shumë gjasë që të zgjas për shkak të agresionit mbi Ukrainën, Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë mundësi. Kosova do të mund t’i ndiqte përafërsisht hapat e Malit të Zi – anëtarit të 47-të – edhe në konsultime me këtë të fundit të ndërmarrë hapat e para”, ka thënë Gashi.

Drilon Gashi

Në anën tjetër, Bender, potencon se rrugën drejtë anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës nuk mund ta ndalojë askush, as Serbia e cila në mënyrë eksplicite është kundër pranimit të Kosovës në këtë organizatë.

“Për këto 34 shtete anëtare të Këshillit të cilët e kanë njohur subjektivitetin e Kosovës, nuk ka arsye për ta mbajtur atë jashtë, por përkundrazi shumë arsye për të pranuar atë brenda. Misioni kryesor i Këshillit të Evropës është të vëzhgojë demokracitë e Evropës dhe t’i mbajë ato demokratike. Kosova është një demokraci evropiane, kështu që pse dikush do të donte të përjashtonte Kosovën?”, ka argumentuar Bender.

Sipas Bender, anëtarësimi në Këshill do t’u mundësonte të gjithë kosovarëve qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila është gjithashtu në interes të serbëve të Kosovës.

“Fillimi i procedurave për pranimin e Kosovës si anëtare do të dërgonte gjithashtu një sinjal të qartë se Evropa mbështet demokracinë dhe të drejtat e njeriut në Ballkan. Kjo është bërë edhe më e rëndësishme sot përballë luftës së agresionit të Rusisë në Ukrainë”, ka shtuar ai.

Ndryshe për Gashin, anëtarësimi i Kosovës në Këshillin Evropian do të dërgonte një porosi të qartë atyre që janë kundër shtetësisë së Kosovës se ajo është shtet sovran dhe gjithnjë më e vetëqëndrueshme.

Kosova, është i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor që nuk është anëtarë i Këshillit të Evropës

Këshilli i Evropës është organ krejtësisht e ndarë nga Bashkimi Evropian.

Këshilli nuk kontrollohet nga BE-ja.

Ai ndihmon vendet anëtare të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin dhe të ndërmarrin reformat e nevojshme gjyqësore. Grupi i ekspertëve kushtetues, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshilla ligjore për vendet në mbarë botën.

Ndryshe Këshilli i Evropës mbron lirinë e shprehjes dhe të medias, lirinë e tubimit, barazinë dhe mbrojtjen e pakicave.

Kosova, është i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor që nuk është anëtarë i Këshillit të Evropës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore