Lajme

Kreu i delegacionit boshnjak në Asamblenë Parlamentare konfirmon se do të votojë pro Kosovës në Këshillin e Evropës


Sasha Magazinoviç

Shefi i delegacionit të Bosnje dhe Hercegovinës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Sasha Magazinoviç, konfirmoi se do të votojë pro anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë të rëndësishme evropiane, derisa shtoi se përkrahja për Kosovën buron nga bindja se të gjithë qytetarët e vendit të vogël ballkanik i meritojnë mundësitë që ofron Këshilli i Evropës.

Në një koment në platformën “X” të martën, në prag të votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ai deklaroi se votimi për anëtarësimin e Kosovës në organizatën kryesore për të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligji, nuk paragjykon qëndrimet e shteteve anëtare individuale, duke qenë se Bosnje-Hercegovina akoma s’e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

“Unë do të votoj duke u bazuar në bindjen se të gjithë qytetarët e Kosovës i meritojnë mundësitë e ofruara nga Këshilli i Evropës – që shqiptarët dhe serbët më në fund të kenë qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për të jetuar në një shoqëri më të avancuar demokratikisht sesa është sot dhe për të ndjerë progresin në shtetin e së drejtës”, shkroi Magazinoviç.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës pritet të votojë sot për anëtarësimin e Kosovës. Do të duhen 2/3 e votave të deputetëve të shteteve anëtare për t’i rekomanduar Këshillit të Ministrave – organit vendimmarrës të organizatës – që ta ftojë Kosovën të bëhet anëtarja më e re. Kjo, nëse gjithçka shkon sipas planit, pritet të ndodhë në mes të majit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore