Lajme

Krerët e shtetit përkujtojnë masakrën e Reçakut, bëjnë thirrje për drejtësi


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Krerët e shtetit, mëngjesin e së hënës kanë bërë homazhe tek varrezat e të rënëve në Masakrën e Reçaku, nga ku janë shprehur se drejtësia i jep kuptim paqes e lirisë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, para gazetarëve ka deklaruar se shqiptarët u masakruan duarthatë nga regjimi i Millosheviç-it.

“25 vjet pas luftës e pas Masakrës së Reçakut. Jemi këtu jo vetëm për të nderuar viktimat e regjimit gjenocidal të Millosheviç-it, por për të përsëritur thirrjen tonë për drejtësi. Drejtësia i jep kuptim paqes, lirisë, e është e domosdoshme për pajtim”.

“Edhe sot jemi këtu për të nderuar të rënët, të gjithë ata që duarthatë u masakruan në mënyrë brutale, duke kryer krime kundër njerëzimit nga regjimi i Millosheviç-it”.

Ajo ripotencoi se ish-ambasadori William Walker ishte bërë zëri i viktimave të Kosovës.

“Jemi këtu për të falënderuar sërish ambasadorin Ëilliam Ëalker që u bë zëri i viktimës kur në në një kohë s’kishim zë. Kur kishim nevojë për mbrojtjen e botës demokratike, Masakra e Reçakut ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës”, ka thënë ajo.

Ndërsa, theksoi se regjimi i presidentit të Serbisë, përvec që mohon masakrën, po i arreston edhe ata që humbën më të dashurit e tyre gjatë luftës.

“Vuçiç i arreston e torturon ata që vendosin lule mbi varret e fëmijëve të luftës”.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalimit të tij ka falënderuar ish-ambasadorin e misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, i cili i tregoi botës se çfarë kishte ndodhur në këtë vend.

“Masakra e Reçakut këtu e 25 vjet më parë, ku u vranë 45 civilë shqiptarë e tronditi si opinionin publik ndërkombëtar, gjithashtu edhe diplomacinë botërore dhe e bëri të domosdoshëm ndërhyrjen ushtarake të NATO-s për të ndalur gjenocidin e Serbisë në Kosovës.

“Kur ndodhi masakra e Reçakut, ambasadori William Walker si udhëheqës i misionit të OSBE-së në Kosovë erdhi këtu te fshatarët dhe e foli të vërtetën, tha kjo është masakër dhe krim kundër njerëzimit”.

Sipas tij, Walkeri vazhdon të jetë ndërkombëtari më i sulmuar dhe i urryer në Serbi.

“E dimë që e vërteta është armiku më i madh i diktatorëve dhe shovinistëve andaj edhe sot e kësaj dite ambasadori William Walker vazhdon të jetë ndërkombëtari më i sulmuar edhe më i urryer në Serbi, ku vazhdon të dominojë një regjim autoritar me ç’rast ish-ministri i informatave të asaj kohe sot është president i Serbisë”, ka thënë ai.

Kurti ka kujtuar edhe 11 ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët kanë rënë në betejë duke mbrojtur trupat e masakruar në këtë fshat.

“Më 15 janar në një dimër jashtëzakonisht të ftohtë pati ndodhur ky krim makabër, ndërkaq varrimi i 45 civilëve ka ndodhur vetëm katër javë më vonë sepse ka pasur luftë të madhe për Kosovën”.

“I kemi edhe 11 ushtarë të UÇK-së që kanë rënë në betejë për mbrojtjen e trupave të masakruar nga Serbia dhe ato katër javë tregojnë se Serbia është përpjekur ta deformojë të vërtetën, ta justifikojë krimin dhe prandaj edhe një herë po e theksoj rëndësinë e të vërtetës të ambasadorit William Walker, të cilit i jemi mirënjohës që në një moment historik për popullin tonë e foli vetëm të vërtetën”, ka thënë ai.

Edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se Masakra e Reçakut është ndër aktet më mizore të regjimit serb.

“Ky ishte njëri ndër aktet më mizore të regjimit së Serbisë, e po ashtu për botën demokratike shënoi edhe vijën e kuqe për Serbinë okupatore që i solli edhe bombardimet e NATO-s pastaj. Gjë që i hapi rrugë edhe çlirimit të plotë të Kosovës”.

Ai potencoi se pas kësaj masakre bota e kuptoi gjuhën e Serbisë.

“Pas Reçakut, bota demokratike e kuptoi se gjuha të cilën e njeh Serbia është gjuha e forcës, sepse nuk do të ndalej lufta dhe masakrat që po i kryente gjithandej Kosovës. Prandaj, gjithmonë do të mblidhemi këtu, për t’i kujtuar edhe martirët e Reçakut, e edhe dëshmorët që rënë në përpjekje për të mbrojtur popullatën civile të Reçakut”, deklaroi ai.

Më shumë se dy dekada më parë, më 15 janar 1999, vdekja e vizitoi një fshat të vogël afër Shtimes apo saktësisht “djalli e vizitoi Reçakun” – sipas përkufizimit të shefit të atëhershëm të Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë (OSBE), William Walker, kur nga afër kishte parë masakrën e 45 shqiptarëve etnikë nga policia dhe ushtria serbe.

Krimi i pandëshkuar i Serbisë në Kosovë – 25 vjet nga “vizita e djallit” në Reçak

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore