Lajme

Kremtimi i “Ditës së Republikës Srpska” në Bosnje, BE-ja: Akt provokues dhe përbuzje e vlerave evropiane


Kremtimi i “Ditës së Republikës Srpska” në Bosnje

Bashkimi Evropian, gjegjësisht Parlamenti Evropian, ka dënuar festimin e “Ditës së Republikës Srpska” nga ana e entitetit serb në Bosnje e Hercegovinë duke e quajtur një kremtim të tillë si “të jashtëligjshëm”.

Më 9 janar të këtij viti udhëheqja e entitetit të Republikës Srpska në Bosnje e Hercegovinë festoi “Ditën e Republikës Srpska”, festë e cila është në kundërshtim me vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnje dhe Hercegovinës.

Prandaj eurodeputeti gjerman, Rome Franz, i cili njëherit është edhe kryetari i delegacionit të Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me Bosnje e Hercegovinën dhe eurodeputeti portugez, Paulo Rangel, i cili është raportuesi i Përhershëm për Bosnje dhe Hercegovinën, përmes një deklarate të përbashkët kanë dënuar një kremtim të tillë.

Sipas tyre, injorimi i një vendimi i Gjykatës Kushtetuese nga ana e entitetit serb në Bosnje për festimin e “Ditës së Republikës Srpska”, është një akt provokues.

“Dënojmë gjithashtu pa rezerva pjesëmarrjen në këto ngjarje të paligjshme të disa ministrave serbë, kryetarit të parlamentit serb dhe – për herë të parë – të dy ministrave të qeverisë teknike të Malit të Zi”, thuhet më tej në këtë komunikatë për media.

“E kemi theksuar vazhdimisht se nuk ka vend në Evropë për mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e kriminelëve të dënuar të luftës, të cilat janë të papajtueshme me nocionet e së vërtetës, drejtësisë dhe dinjitetit për viktimat dhe të mbijetuarit. Ata pengojnë çdo përpjekje për pajtim dhe rrezikojnë të përjetësojnë ndarje të rrezikshme brenda vendit”.

Në dritën e agresionit rus në Ukrainë, dhënia e çmimit më të lartë të Republikës Srpska për Vladimir Putinin me rastin e “Ditës së Republikës Srpska”, theksojnë më tej dy eurodeputetë, është përbuzje për vlerta thelbësore evropiane.

“Janë kapërcyer disa vija të kuqe dhe është koha e fundit që komuniteti ndërkombëtar të lëvizë përtej deklaratave të forta verbale dhe të ndërmarrë veprime specifike dhe të synuara kundër atyre që vazhdojnë të minojnë qëllimisht dhe sistematikisht rendin kushtetues dhe territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës me fjalë dhe vepra”.

“Nëpërmjet deklaratave dhe veprimeve të tij, Milorad Dodik de facto ka mohuar marrëveshjen politike të 12 qershorit 2022, të cilën ai e ka nënshkruar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore