Lajme

Krasniqi vizitë në Hanin e Elezit, ofron mbështetjen e Qeverisë


Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi gjatë vizitës në Han të Elezit.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka vizituar Komunën e Hanit të Elezit për të ofruar mbështetje në lidhje me dyshimet për helmimin e ujit në këtë Komunë.

Kjo është bërë e ditur përmes njoftimit nga ministria në të cilin thuhet se Krasniqi ka theksuar gatishmërinë e Qeverisë për të bashkëpunuar dhe ofruar ndihmë për Hanin e Elezit për të siguruar ujin e pijes për qytetarët e kësaj komune.

“Gjithashtu, Ministri Krasniqi ka theksuar se Ministria e Shëndetësisë, ka bërë furnizimin me barna nga lista esenciale në QKMF-në, në Han të Elezit, në kuadër të kërkesave për ndihmë emergjente gjithashtu është kryer furnizimi i ujit të pijshëm nga MBP-AME”, thuhet në komunikatën për media.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi gjatë vizitës në Han të Elezit.

Po ashtu, Krasniqi ka vizituar edhe fshatin Gorancë në të cilin nga Ministria e Shëndetësisë janë dërguar një mjek dhe dy infermiere me orar të punës nga 8:00 deri në 23:00 në shërbim të qytetarëve.

“Ministri Krasniqi ka theksuar se Ministria e Shëndetësisë, ka bërë furnizimin me barna nga lista esencjale në QKMF-në, në Han të Elezit, në kuadër të kërkesave për ndihmë emergjente gjithashtu është kryer furnizimi i ujit të pishëm nga MBP-AME”.

Deri të martën e 12 korrikut, 190 pacientë kanë kërkuar ndihmë mjekësore në komunën e Hanit të Elezit, si pasojë e një helmimi që dyshohet se ka ardhur nga uji.

Kështu ka bërë të ditur drejtoresha e Shëndetësisë në komunën e Hanit të Elezit, Kimete Kuka Hasallari, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post.

“Numri total është 190 pacientë që janë trajtuar në Qendrën e Mjekësisë Familjare, gjendja e pacientëve është stabile dhe ende nuk kemi rezultate konkrete nga Instituti Kombëtarë i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK)”.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar, kanë bërë të ditur se kanë furnizuar me barna në QKMF-në, në Han të Elezit, në kuadër të kërkesave për ndihmë emergjente, sa i përket dyshimeve për helmim nga uji.

MSh gjithashtu ka njoftuar se ka furnizuar dhe QKMF-në në Kaçanik pasi që të njëjtit janë përballur me të njëjtën situatë sikurse në Han të Elezit.

“Nga QKUK për QKMF Hani i Elezit (Furnizimi me datën 12.07.2022):  NaCl 500ml  500 copë, Hyoscine amp. 60 copë, Metoclopramide amp. 150 copë”.

“Nga SP Ferizaj për QKMF Kaçanik (Furnizimi me datën 08.07.2022): Ringer sol  500 copë, NaCl 500ml  700 copë, Kanilla 22G   1000 copë dhe Hyoscine amp. 120 copë”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, nga MSH-ja është treguar edhe gatishmëri për të ndihmuar komunën e Hanit të Elezit.

“Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet relevante janë duke e përcjellë gjendjen në komunën e Hanit të Elezit dhe në atë të Kaçanikut, në mënyrë që t’ju ofrojmë shërbime sa  më të duhura qytetarëve të këtyre vendeve, por edhe më gjerë”, thuhet në njoftim.

100 persona dyshohet se u helmuan nga uji i pijshëm në Han të Elezit

Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, të hënën e 11 korrikut ka bërë të ditur për Albanian Post se rreth 100 persona dyshohet se janë helmuar nga uji i pijshëm në këtë komunë.

Ai në një bisedë për Albanian Post ka theksuar simptomat me të cilat janë paraqitur banorët.

“Që nga dita e djeshme kane filluar te vijnë të dyshuar nga helmimi në QKMF të marrin ndihmën e parë për shkak të simptomave të vjelljes, të barkqitjes dhe temperaturës e që thonë se ky është helmim. Helmimi dyshohet se mund të ketë ardhur nga uji, megjithatë nuk ka ende ndonjë analizë se nga saktësisht vjen ky helmim”, ka thënë ai.

Ndërkaq, ka thënë se për rastin është njoftuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, zyrtarët e të cilit sipas tij, ende nuk i kanë marrë mostrat për të bërë analiza.

“IKSHPK-ja është i njoftuar, janë rrugës për të marrë mostrat në fshatin Gorancë për të bërë analizat dhe për të parë se çka në fakt është duke ndodhur. Deri para rreth një ore diku rreth 100 persona kanë kërkuar ndihmë, vinë herë pas here persona por jo në mënyrë masive, ka rënë numri siç ka qenë nga dita e djeshme në orët e vona të mbrëmjes”.

Më 7 korrik, me një situatë të ngjashme është ballafaquar edhe komuna e Kaçanikut.

Lajmin për Albanian Post e kishte konfirmuar kryetari i kësaj komune, Besim Ilazi.

“Përafërsisht përmes rezultatit që marrim nga QKMF-ja në Kaçanik dikund rreth 50 pacientë deri në 70 kanë kërkuar ndihmën mjekësore”, ka thënë Ilazi për AP.

E kontaktuar nga Albanian Post edhe Shahadije Raka, infermiere në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare kishte bërë të ditur se personat e helmuar kishin filluar të paraqiten në QKMF nga 4 korriku.

“Prej 4 korrikut filluan të paraqiten, por me 5 korrik është lajmëruar rasti. Pasi nga një familje u paraqiten tre deri në katër persona me vjellje dhe barkqitje dhe kjo ishte situata e lajmëruam drejtorin që nuk është në rregull në këto tri lagje këta pacientë të jetë me simptoma të ngjashme”.

Ndryshe, me 14 korrik, komuna e Deçanit në Kosovë kishte shpallur gjendje emergjente në gjithë territorin e Komunës së Deçanit, pas qindra rasteve të qytetarëve që ishin helmuar nga uji i pijshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore