Lajme

Krasniqi takon Varhelyi-n, diskutojnë procesin e integrimit evropian të Kosovës


Oliver Varhelyi dhe Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, këtë të enjte ka takuar Komisionerin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, gjatë qëndrimit të tij në Bruksel.

“Bashkë diskutuam për procesin e integrimit evropian të Kosovës dhe rëndësinë që shteti ynë të mos lihet mbrapa në këtë proces”, ka shkruar Krasniqi pas takimit.

Për shtetin dhe qytetarët, beson Krasniqi, është tejet e nevojshme që perspektiva evropiane të jetë e qartë dhe e prekshme.

“Për PDK-në, anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe institucionet euro-atlantike, është vizioni, misioni dhe rruga e vetme përpara”.

Ndryshe Krasniqi në kryeqendrën evropiane, të mërkurën, ka takuar edhe të deleguarin special të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Krasniqi nga kryediplomati sllovak ka kërkuar që statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Edhe një herë, Emisarit Lajçak i ripërsërita qëndrimin tim dhe të PDK-së se statuti i Asociacionit duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, të mos krijojë një nivel të ri të pushtetit dhe të mos ketë kompetenca ekzekutive”.

Përveç kësaj, kreu i PDK-së i ka kërkuar Lajçak-ut që të ndikojë që BE-ja të heqë “sa më parë sanksionet e padrejta ndaj Republikës së Kosovës!”, të vendosura si pasojë e veprimeve të Qeverisë së Kosovës në Veri të vendit.

Krasniqi takon Lajçak-un: Asociacioni të mos krijojë nivel të ri të pushtetit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore