Lajme

Krasniqi takon Abazoviç-in: I shpreha shqetësimin për marrëveshjen e Ohrit


Memli Krasniqi dhe Dritan Abazovic

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka njoftuar se është takuar me kryeministrin me mandat teknik të Malit të Zi, Dritan Abazoviç.

Kreu i PDK-së potencoi se e ka informuar Abazoviç-in për zhvillimet me rëndësi në Kosovë, përfshirë edhe marrëveshjen në mes të Kosovës dhe Serbisë, e dakorduar fillimisht në Bruksel, dhe e përforcuar me aneksin e saj në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

“Përfshirë shqetësimin tonë për emigrimin masiv të të rinjve tanë dhe Marrëveshjen e Ohrit, e cila, për PDK-në, mbetet e pamjaftueshme dhe që nuk arrin qëllimet tona shtetërore”, shkroi Krasniqi në Facebook.

Po ashtu, ai tha se “diskutuam për raportet e mira fqinjësore mes dy shteteve tona dhe mundësitë e reja të thellimit të këtij bashkëpunimi”.

Mund të jetë një imazh i 8 persona

Ndërsa, ai e përshëndeti nënshkrimin e marrëveshjes nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ai malazez, Dritan Abazoviç, për shfrytëzimin e hapësirës ajrore, për të cilën tha se “është një lajm i mirë dhe urova që ajo të zbatohet sa më parë”.

“Si anëtare e NATO-s dhe shtet që ka bërë progres në procesin e anëtarësimit në BE, nga Kryeministri Abazoviç kërkova mbështetjen e Malit të Zi për Kosovën në rrugën e përbashkët drejt integrimit Euro-Atlantik”.

Ndërkaq, siç njofton Krasniqi, temë e diskutimit ka qenë edhe “vazhdimi i bashkëpunimit të mirë në fushën e turizmit dhe krijimit të kushteve optimale për qytetarët e të dy vendeve gjatë vizitave dhe pushimeve vjetore”.

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur këtë të premte në takim kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviç.

Albin Kurti dhe Dritan Abazoviç

Pas një takimi kokë më kokë në mes të Kurtit dhe Abazoviç’it, delegacionet nga Kosova dhe Mali i Zi kanë nënshkruar një Marrëveshjen për Shërbime Ajrore.

Marrëveshja bilaterale për korridorin e qiellit të hapur parasheh lejimin e shfrytëzimit të hapësirës ajrore të Malit të Zi nga aeroplanët që fluturojnë nga Aeroporti i Prishtinës.

Ndryshe, kjo është vizita e parë e Abazoviç-it në Kosovë prej se është zgjedhur kryeministër në vitin 2022.

Konferencë e zbehtë e Kurtit me Abazoviç-in: S’u përmend Demarkacioni fare

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore