![](https://albanianpost.com/wp-content/uploads/2024/02/Albin-Kurti-Memli-Krasniqi-600x360-1.jpg)
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, ka kërkuar që Qeveria e Kosovës të ketë respekt ndaj punëtorëve dhe të drejtat e tyre, e jo denigrim.
“Kërkojmë siguri, barazi, mundësi dhe dinjitet në shtëpi – jo më valigje për Evropë”, ka shkruar Krasniqi në platformën sociale, Facebook.
“Punëtorëve të zellshëm të vendit tonë, atyre që përkundër sfidave dhe vështirësive vazhdojnë të mbajnë gjallë pulsin e zhvillimit të Republikës, urime 1 Majin. Mirënjohës secilit prej jush!”, ka shtuar ai.
Ndryshe Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, më 1 maj, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, do të protestojë para Qeverisë së Kosovës.
SBASHK-u fillimisht, të mërkurën, do të marshojë drejt Ministrisë së Arsimit, me moton “Duam dialog social”.
Ky marsh i nisur rreth orës 11:00 do të përfundojë në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, ku nga aty kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, do t’i shpalosë të 11-të kërkesat drejtuar ekzekutivit.
Në këtë marsh pritet të marrin pjesë rreth 1 mijë mësimdhënës e punëtorë.
Përpara Qeverisë së Kosovës, SBASHK-u në kuadër të 11 kërkesave ndër të tjera do të kërkojë nënshkrimin e aneks Kontratës Kolektive të Arsimit, sidomos për ruajtjen e vendeve të punës si dhe respektimin e pensionistëve.
Gjatë protestës do të kërkohet edhe përmirësimi i kushteve të punës në institucionet arsimore si dhe plotësimi i ligjeve të mos bëhet pa pajtimin e sindikatave.
Gjithashtu njëri nga 11 kërkesat do të jetë edhe funksionalizimi i Këshillit Ekonomik Social dhe që norma javore të jetë 18 orë, si në shtetet e rajonit.
Po ashtu, kërkesë tjetër e protestës do të jetë rritja e koeficientit prej 30 për qind, dhe për kushte më të mira të punës për mësimdhënësit.
“Kërkojmë që Qeveria të sigurojë buxhet për zbatimin e Kontratës Kolektive të Arsimit pa pasur nevojë të shkohet në gjykata. Kërkojmë të kemi përfaqësues të punëtorëve në komisione e borde në të cilat vendoset për çështjet jetike për punëtorët”, janë disa nga kërkesat e tjerë të SBASHK-ut.
Në protestë do të marrin pjesë edhe disa sindikata të tjerë.
“Protesta e nesërme është organizmi i bërë më së miri, do jetë kryetari i Sindikatave bashkë me anëtarët e kryesisë nga ato shoqatave, po ashtu nga niveli komunal gjithashtu, shtatë universitetet do të jetë një numër i konsiderueshëm, kërkesat janë legjitime”, tha të martën Jasharaj.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com