Kosova

Krasniqi: Në fund të ditës bëhen publike datat e betimit të kryetarëve në veri


Elbert Krasniqi

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në një përgjigje për Albanian Post, ka shprehur optimizmin se deri në fund të ditës (e hënë, 22 maj) do të bëhen publike datat se kur do të betohen kryetarët e rinj të komunave në pjesën veriore të Kosovës – Leposaviq, Zveqan dhe Zubin Potok.

“Unë jam shumë optimist se deri në fund të ditës do të bëhen publike datat kur do të mbahet seanca konstituive dhe betimi i kryetarëve. Jam dakorduar me kryetarët t’i caktojmë datat. Jam duke i pritur propozimet e kryetarëve, pastaj i bëjmë publike”, tha Krasniqi.

Ai nuk ka komentuar pretendimet se kryetarët e komunave në Zveqan dhe Zubin Potok, të cilët e fituan garën zgjedhore me Partinë Demokratike të Kosovë, përveç se akoma nuk kanë marrë dritë të gjelbër nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, po përballen me “presion dhe nënçmim” nga Qeveria e Kosovës.

“Unë kam pasur takime të rregullta me katër kryetarët e zgjedhur. Në momentin kur kanë fituar zgjedhjet dhe janë certifikuar [nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve], ata më nuk janë përfaqësues të partive politike por kryetarë të komunave”, nënvizoi Krasniqi, ndërsa shtoi se ministria do të vazhdojë t’i kryejë detyrat që i takojnë.

Sekretari organizativ i PDK-së, Betim Gjoshi, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, tha se për dallim nga Erden Atiç, i cili të premten u betua si kryetar i ri i Mitrovicës së Veriut, pasi fitoi zgjedhjet me Lëvizjen Vetëvendosje, kryetarëve nga radhët e PDK-së po iu kërkohet ta shtyjnë ceremoninë e betimit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, teksa ka folur për procesin e betimit të kryetarëve në komunat veriore të banuara kryesisht me serbë etnikë, ka bërë thirrje për durim, duke e lënë të hapur mundësinë që në këto komuna të bashkohet edhe ndonjë parti serbe në qeverisje komunale.

“Të presim edhe pak ditë, edhe nëse nuk do të kenë përgjigje nga zyrtarët e një partie politike atje do të mund të kenë nga serbët që mund të duan të bëhen zyrtarë. Unë e di që ata nuk janë përgjigjur ende, por të presim të hënën me shpresës që mund të ndryshojë për të mirë…”, tha Kurti.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjithashtu kërkoi nga kryetarët e rinj që brenda afateve kushtetuese dhe ligjore të marrin mandatet e tyre. Këto zgjedhje, sipas ligjeve të Kosovës, janë legale, por nuk kanë legjitimitet, sepse në katër komunat e banuara me shumicë serbe votuan veç 13 serbë.

Situata politike në katër komunat e veriore të Kosovës është sfidë që shkon përtej parimeve kushtetuese e ligjore të Kosovës. Kryetartët e zgjedhur janë optimistë se kanë “kapacitet dhe kompetenca” për t’iu përgjigjur qytetarëve. Por, qeverisja në veri, përkundër fitores në zgjedhje do të jetë mjaft sfiduese.

A po “tërhiqet” kryeministri Kurti nga “veriu i PDK-së”?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore