Lajme

Krasniqi kërkesë Qeverisë: Të krijohen kushte për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Veri


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, është duke kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të krijojë kushte për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Veri.

Përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook”, Krasniqi bëri të ditur se ka pasur një takim me kandidatët e partisë së tij për kryetarë në katër komunat veriore.

“Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës dhe institucionet kompetente që të krijojnë kushte të favorshme për mbarëvajtjen e këtij procesi, që të jetë i sigurt, demokratik dhe i lirë!”.

“Bashkë me Taulant Kelmendin, kandidat për Mitrovicën e Veriut, Albulena Behluli-Hetemin, kandidate për Leposaviq, Izmir Zeqirin, kandidat për Zubin Potok dhe Ilir Pecin, kandidat për Zveçan, diskutuam për përgatitjet lidhur me këtë proces, situatën e tensionuar në veri dhe ndamë shqetësimin për sigurinë e të gjithë qytetarëve atje”.

Ai e ka vlerësuar lart kandidimin e kryetarëve nga radhët e PDK-së për këto zgjedhje.

“Vetë vullneti i tyre i palëkundur për të kandiduar në këto zgjedhje, është akt patriotik dhe në shërbim të forcimit të demokracisë në Republikën e Kosovës. Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës dhe institucionet kompetente që të krijojnë kushte të favorshme për mbarëvajtjen e këtij procesi, që të jetë i sigurt, demokratik dhe i lirë!”, ka shkruar Krasniqi.

Por, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier dhe ai i Gjermanisë Jorn Rhode, kanë kërkuar që zgjedhjet e parapara të zhvillohen më 18 dhjetor në Veri të shtyhen.

Sipas tyre, aktualisht nuk ka kushte për mbajtjen e tyre.

Në orën e 23-të të së enjtes, vetëm 60 minuta para mesnate, derisa një veturë e Policisë së Kosovës po patrullonte nëpër fshatin Serbovc, në Komunën e Zveçanit, u sulmuan nga një grup personash të armatosur dhe me maska.

Vetura u dëmtua shumë dhe një polic u plagos.

Ndërsa, të premten është sulmuar edhe një ekip i gazetarëve, për të cilët nga Policia kanë deklaruar për Albanian Post se rasti është regjistruar. 

Situata jostabile dhe me prezencë të krimit të organizuar në Veri vazhdon qysh nga viti 2000, por tensionet u shtuan, kur qeveria provojë të zbatojë marrëveshjen e vitit 2013 për targat ilegele.

Lista Serbe, si fuqia politike më e madhe nga komuniteti serb, doli nga institucionet me kërkesën që të anulohet vendimi.

Qeveria, pas thirrjeve nga aleatët ndërkombëtarë, pranoi ta shtyjë vendimin, me shpresë se i hap rrugë bisedimeve për zgjidhje përfundimtare,  por serbët nuk u kthyen më në institucione.

Tani është obligim kushtetues që të zhvillohen zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Por, sërish po kërkohet shtyrje e vendimit, sidomos nga amerikanët, meqë ata konstatojnë se nuk ka kushte për zgjedhje të lira.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore