Kosova

Krasniqi: Draft-statuti parasheh një super-zajednicë, preambula i referohet Rezolutës 1244  


Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka cilësuar draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të cilën Kosova e pranoi javë më parë, ndonëse sipas tij i njëjti nuk është final, si një “super-zajednicë”, meqë ky mekanizëm është pranuar në këmbim të njohjes de facto e jo de jure.

I pyetur për komentet e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, i cili deklaroi se draft-statuti është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, Krasniqi, tha se garanci për këtë nuk mund të jep askush në këtë fazë.

“Për këtë tekst të draft-statutit të Asociacionit nuk mund të themi se mund të kalojë testin e Gjykatës Kushtetuese. Ai tekst i pa finalizuar nuk jam i sigurt që e kalon testin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Krasniqi në një intervistë për Kanal 10.

Krasniqi, i cili ka pranuar se e ka lexuar draft-statutin e përpiluar nga komuniteti ndërkombëtar, por jo në takimin që ka pasur me të deleguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili javën e kaluar takoi krerët e partive opozitare, ka thënë se në momentin kur në preambulë të draft-statuti ka referenca direkte të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, atëherë nuk vlen më Kushtetuta e Kosovës.

“Rezoluta 1244 nuk e njeh sovranitetin e Kosovës e njeh sovranitetin e Jugosllavisë mbi Kosovën. Kot e kemi në preambulë Kushtetutën e Kosovës, Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale. Rezoluta 1244 automatikisht e zhvlerëson pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës dhe Gjykata Kushtetuese nuk ka as ingerenca për të vlerësuar Rezolutën 1244”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore