Lajme

Krasniqi dhe Haradinaj: Votimi pro në Asamblenë e KiE-së hap kolosal në afirmimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës


Ramush Haradinaj dhe Memli Krasniqi

Dy liderët e opozitës, përkatësisht kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kanë përshëndetur miratimin e raportit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës nga Asambleja Parlamentare e KiE-së.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi u shprehi mirënjohje të gjithë ata që kanë punuar me vite të tëra për këtë sukses të rëndësishëm për vendin tonë, derisa falënderime pati edhe për të gjithë ata që me votën e tyre sot e shtynë përpara këtë proces për Kosovën.

“Veçanërisht, e falënderoj mikun tim, Iulian Bulai, deputetin rumun, i cili si Kryetar në APKE i grupit të ALDE-s, anëtare e së cilit është edhe PDK, bashkë me deputetët e grupit tonë, ka kontribuar në çdo hap të këtij procesi”, shkroi Krasniqi.

Tani, me optimizëm, angazhim dhe lobim, theksoi kreu i PDK-së, “presim votimin final të Komitetit të Ministrave të Jashtëm, që do të mbahet pas një muaji”.

Ndërsa, sipas Haradinajt, përkrahja në Asamblenë e KiE-së, “është një hap kolosal në afirmimin ndërkombëtar të pozicionit të Kosovës, si dhe një energji dhe momentum i ri për caqet e së ardhmes”.

“Shteti ynë i ri, qytetarët e Kosovës, kanë vendosur themelet e forta të demokracisë, të drejtave dhe lirive të njeriut. Ky përkushtim i rrënjosur në frymën e Kushtetutës e shpirtin e qytetarëve, u vlerësua nga shtetet anëtare të Këshillit të Evropës”, shkroi ndër të tjera Haradinaj në Facebook.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, para pak çastesh, ka votuar pro raportit për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Për miratimin e raportit të raportueses për Kosovën në KiE, Dora Bakoyannis, kanë qenë 131 vota për, 29 kundër dhe 11 abstenime.

Para miratimit të raportit, Asambleja Parlamentare e KiE-së, i hodhi poshtë të gjitha amendamentet e propozuara nga Serbia.

Për t’u bërë anëtare e plotë e KiE-së, Kosovës i ka mbetur vetëm edhe një hap: votimi i Këshillit të Ministrave të Jashtëm në muajin maj.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke thënë se jemi edhe një hap larg anëtarësimit.

“Asambleja Parlamentare i thotë PO Kosovës. Jemi edhe një hap më afër dhe vetëm një hap larg anëtarësimit në Këshillin e Evropës”, ka shkruar Kurti në Facebook.

“Faza e radhës dhe e fundit që na pret është ministeriali në muajin maj. Meqenëse që nga viti 1951, Komiteti i Ministrave nuk ka marrë vendim ndryshe nga Opinioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, besojmë që edhe faza e ardhshme do të përmbyllet me sukses. Megjithatë, puna jonë do të vazhdojë”, shtoi ai.

Kryeministri Kurti ka theksuar se nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, fiton demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut.

“E me Kosovën aty, Këshilli i Evropës fiton një demokraci të re e të gjallë, ku sundon ligji e respektohen të drejtat e njeriut”, potencoi ai.

“Faleminderit të gjithëve. Urime të gjithëve”, përfundoi Kurti.

Ndërsa, më herët gjatë ditës, Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka rrëzuar amendamentin e deputetëve serbë përmes të cilit kanë kërkuar që të shtyhet vendimi për pranimin e Kosovës në KiE, derisa të themelohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

Po ashtu, është rrëzuar edhe amendamenti i propozuar nga deputetët italianë të cilët kanë propozuar që Kuvendi të konsiderojë se themelimi i Asociacionit duhet të merret parasysh si çështje në shqyrtimin e ardhshëm të Komitetit të Ministrave për aplikimin e Kosovës.

Ndryshe, Komiteti për Politikë dhe Demokraci në Këshillin e Evropës, më 27 mars, miratoi raportin e Bakoyannis, ku rekomandohet që Kosova të anëtarësohet në këtë organizatë – pro votuan 31 përfaqësues të shteteve anëtare, katër kundër dhe një abstenoi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore