Lajme

Krasniqi ia shpreh “rezervat” për planin evropian Hovenier’it


Memli Krasniqi dhe Jeffrey Hovenier

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi është takuar me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, të cilit ia ka ripërsëritur qëndrimin e partisë që ai e udhëheqë për rezervat që kanë për planin evropian për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, tanimë i pranuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Ambasadorit Hovenier i shpreha edhe një herë qëndrimin e PDK-së në lidhje me dialogun Kosovë – Serbi dhe rezervat tona në raport me propozimin evropian tashmë të pranuar nga Kryeministri Kurti”, shkroi Krasniqi në rrjetin e tij social ‘Facebook’.

Tutje, i pari i PDK-së potencoi se marrëveshja e pranuar nga kryeministri Kurti është e pamjaftueshme, dhe e konsideroi si “një mundësi e humbur për të arritur një marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse dhe me njohjen e ndërsjellë në qendër”.

“Përkundër mbështetjes që PDK i ka dhënë Kryeministrit Kurti për dy vjet me radhë në procesin e dialogut dhe në raport me Serbinë, përmes gabimeve e veprimeve kryeneqe dhe në shpërputhje me kontekstin politik, ai ka dështuar që të arrijë përmbushjen e qëllimeve shtetërore të Republikës së Kosovës”, shtoi ai.

Gjithashtu, Krasiqi u shpreh se ambasadorin Hovenier e ka falënderuar për vizitën dhe për mbështetjen e vazhdueshme të ShBA-së për Kosovën, dhe nënvizoi se “e sigurova që PDK gjithmonë do të veprojë në përputhje ne interesin shtetëror dhe qytetar të Kosovës”.

Ndryshe, emisari special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak të enjten dhe të premten takoi kryeministrin Kurti dhe liderët e partive opozitare në Kosovë, për të shqyrtuar Aneks-dokumentin e zbatimit të Propozim-Marrëveshjes që në fund duhet të përbëjnë një dokument të njësuar. Dhe për të gjitha këto do të ketë nevojë për një takim të ri të liderëve, më 18 mars në Ohër.

Ai në një prononcim për media pas takimit me kryeministrin Kurti, tha se pati një takim konstruktiv dhe se pritshmëritë me të cilat kishte ardhur në Prishtinë tashmë janë përmbushur sepse siç tha ai, “që të bëhet dokument ligjërisht i detyrueshëm duhet pajtim për zbatimin e tij”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore