Lajme

Lajçak pas takimit me Kurtin: Ishte konstruktiv, pritshmëritë e mija janë përmbushur


Miroslav Lajçak

Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, në një prononcim për media pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, tha se pati një takim konstruktiv dhe se pritshmëritë me të cilat ka ardhur në Prishtinë tashmë janë përmbushur.

Ai theksoi se qëllimi i takimit kishte të bënte me implementimin e “Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” dhe atë se si e shohin institucionet e Kosovës këtë gjë, sepse “që të bëhet dokument ligjërisht i obligueshëm duhet të pajtohemi se si të implementohet”.

“Ne duhet të merremi vesh se si duhet të implementohet tani ky plan, pra cilët janë hapat, sekuencat dhe kornizat kohore. Përndryshe do të jetë vetëm marrëveshje politike dhe jo formale. Mund ta them se patëm diskutim konstruktiv, të rëndësishëm dhe shumë të dobishëm”, tha diplomati sllovak.

“Gjithashtu, kam takuar edhe presidenten [Vjosa] Osmani dhe do të takoj edhe partitë opozitare. Qëllimi kryesor i vizitës është të shoh se si Kosova e sheh implementimin. Dhe ky takim ka përmbushur pritjet e mija në këtë kontekst”, deklaroi ai, teksa shtoi më pas se do të shkojë edhe në Beograd për të njëjtin qëllim.

“Shpresoj të kemi një letër dhe një dokument që do të pranohet në Ohër me 18 mars. Por, në këtë pikë është e pamundur që të them më shumë, takimet e mija do të vazhdojnë. Le të fokusohemi tek finalizimi, tash për tash ky është hapi i dytë dhe hapi i tretë do të jetë formalizmi. Do të arrijmë atje, por më rëndësi tani është hap i dytë”.

Ndryshe, në takimin e nivelit të lartë në Bruksel mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, u arrit një dakordim që Kosova dhe Serbia të zhvillojnë një proces negociator mbi bazën e 11 pikave të atij që quhet tash zyrtarisht “Marrëveshja për rrugën e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Marrëveshja do të përmbajë një Aneks që synon të sigurojë zbatimin e të gjitha dispozitave të saj. Aneksi ka mbetur që të negociohet. Në momentin që ka pajtim për Aneksin, i gjithë instrumenti, Preambula, 11 nenet dhe dispozitat për implementimin mund të nënshkruhen.

Shërbimi i Veprimit të Jashtëm Evropian (EEAS), të enjten ka publikuar edhe agjendën për takimin e nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili do të mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars.

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, do të zhvillojnë takime të ndara veç e veç me të dy liderët ballkanikë, pasuar nga një takim i përbashkët trepalësh.

Çështja më e rëndësishme në marrëdhëniet ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon të mbetet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, derisa në takimin e Ohrit, palët duhet të pajtohen me krejt çfarë u është kërkuar nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore