Shqipëria

Kraja raporton në Kuvend, nga dhoma e përgjimit tek paratë e kriminelëve


Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Arben Kraja, ka raportuar në Komisionin e Ligjeve të Kuvendit të Shqipërisë, mbi ecurinë e punës së institucionit të tij, një ditë pas operacionit të madh të ndërmarrë në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ku 32 urdhër arreste u lëshuan dhe 18 janë ekzekutuar.

Sipas Krajës, një shumë e madhe parash janë konfiskuar nga SPAK prej botës së krimit të organizuar.

Ato, janë përdorur për ngritjen e një laboratori të eksperimenteve digjitale.

Ndër të tjera, janë blerë në bazë të raportimit që ka bërë Kraja, pajisje të shumta si edhe janë punësuar disa ekspertë të fushës dhe trajnuar prokurorët dhe hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

“Kemi ushtruar funksionin me një staf prej 13 prokurorësh nga 20 e miratuar nga Kuvendi. Në korrik kemi emëruar 2 prokurorë duke u bërë 15 dhe në dhjetor 2 të tjetër duke shtuar 17. Nga shtatori 2021 kanë filluar detyrën oficerët e BKH”, bëri me dije Kraja.

Parashikimet e shpenzimeve për efekt personeli janë përllogaritur në 340 milionë lekë.

Gjithashtu, përgjatë vitit të dytë të funksionimit, është vënë në punë edhe zyra e posaçme e përgjimeve, e atashuar pranë SPAK.

“Duhet të kemi infrastrukturë të ngritur e më pas të marrësh sisteme. Kemi ngritur infrastrukturë moderne. Rrjetet tona janë certifikuar. Kemi siguruar lidhje me fibër optike. Ka filluar marrja e aksesit, që ne i shfrytëzojmë për efikasitetin e hetimit”, vijoi ai.

Teksa në mbyllje, theksoi se ka pasur edhe bashkëpunime në nivel ndërkombëtar dhe rritje të ndihmës juridike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore