Lajme

KQZ: Të mërkurën shpallen rezultatet për Kuvendet Komunale


Ilustrim

Më shumë se pesë mijë kandidatë që garuan për një mijë e dy ulëse të Kuvendeve Komunale do të mësojnë të mërkurën rezultatin e tyre, në mbledhjen e radhës të Komisionit Qendror Zhgjedhor.

Këtë e ka bërë të ditur Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, duke shtuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka përfunduar numërimi i rreth 300 vendvotime për 38 komuna.

“Pas përfundimit të procedurave të parapara në këtë qendër, KQZ do të mundet të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 17 tetorit kuvendet komunale. Planifikojmë që shpallja e këtyre rezultateve të bëhet në mbledhjen e KQZ-së, e cila do të mbahet ditën e mërkurë më datën 3 nëntor”, ka thënë ai, për KosovaPress.

Ai tregoi se me shpalljen e rezultateve përfundimtare nuk përmbyllet ky proces, pasi subjektet politike dhe kandidatët kanë mundësinë të parashtrojnë ankesat e tyre në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe në Gjykatën Supreme.

“Si çdo herë KQZ do të veprojë në përputhje me vendimet e këtyre institucioneve t’i zbatojë ato dhe pastaj të procedojë për certifikimin e këtyre rezultateve”, ka shtuar Elezi.

Valmir Elezi, Zëdhënës i KQZ-së

KQZ ditë më parë ka shpallur e më pas edhe certifikuar rezultatet përfundimtare për kryetarë komune.

Zgjedhjet Lokale të 17 tetorit, nga gjithsejtë 38 komuna, 17 komuna kanë shënuar fitore të partive ndërsa 21 komuna do të shkojnë në raundin e dytë.

Kështu bazuar në rezultatet preliminare të KQZ-së, Lista Serbe ka fituar nëntë komuna, Partia Demokratike e Kosovës katër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës dy, kurse Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur fitore në asnjë komunë në raundin e parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore