Shqipëria

KQZ propozon dy variante për votimin e emigrantëve


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) publikoi dy variantet zyrtare për krijimin e listës së votuesve nga jashtë vendit.

Identifikimi i adresës së shtetasve shqiptarë, të cilët jetojnë jashtë territorit së Shqipërisë, do realizohet nëpërmjet vetë deklarimit on-line, në e-Albania.

Për këtë qëllim, KQZ-ja, bëri publike dy modele  për krijimin e listës  së zgjedhësve që votojnë nga jashtë vendit.

Varianti i parë parashikon që: emigrantët shqiptarë që duan të ushtrojnë të drejtën e votës nga shteti ku jetojnë, duhet të bëjnë regjistrimin e adresës së tyre nëpërmjet portalit qeveritar, “e-albania”.

Pas regjistrimit të adresës së tyre, emigrantët mund të kërkojnë që emri i tyre të futet te lista e shqiptarëve që do të votojnë jashtë vendit dhe për pasojë, emri i tyre hiqet nga listat e votuesve në Shqipëri.

I dyti parashikon që: procedurën e regjistrimit ta bëjë vetë KQZ-ja nëpërmjet një sistemi të posaçëm elektronik.

Ky sistem do të përpunojë të dhënat që vijnë nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile.

Brenda datës 11 mars duhet të bëhet pranimi i kërkesave për regjistrim jashtë vendit, dhe, deri më 16 mars, shqiptarët që kanë kërkuar të votojnë nga jashtë Shqipërisë do të hiqen nga listat e votuesve brenda vendit.

Të dyja variantet e propozuara për krijimin e listës së votuesve nga jashtë vendit parashikojnë që të gjitha procedurat të mbyllen brenda muajit mars. /AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore