Lajme

KQZ: Janë aprovuar rreth 11 mijë e 800 zarfe me fletëvotime nga diaspora


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë, ende nuk e ka filluar numërimin e votave të ardhura me postë nga diaspora.

Shërbimi votues i KQZ-së, është duke vijuar procesin e vlerësimit të rreth 43 mijë e 500 pakove me fletëvotime.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar se rreth 16 mijë e 800 zarfe i janë nënshtruar procesit të vlerësimit dhe vetëm 11 mijë e 800 zarfe me fletëvotime janë aprovuar kurse rreth 4 mijë e 950 zarfe me fletëvotime janë refuzuar për arsye të ndryshme.

Në njoftimin për media, Elezi ka thënë se është duke u shënuar një progres për përmbylljen e aktiviteteve të cilat janë të domosdoshme të përfundojnë në mënyrë që KQZ-ja të shpallë rezultatet përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët.

Tutje Elezi tregoi se nga dy mijë e 382 vendvotime, kanë mbetur rreth 135 vendvotime pa i procesuar të dhënat nga formularët e subjekteve politike.

“Nga 2 382 vendvotime janë procesuar në sistem të dhënat nga formularët e subjekteve politike për 2 mijë e 247 vendvotime dhe të dhënat për formularët e kandidatëve për 1 814 vendvotime”, tha ai.

Po ashtu ai tregoi se është skanuar lista përfundimtare e votuesve, skanim ky që është i domosdoshëm për të siguruar nëse ka ndonjë rast kur votuesit kanë votuar edhe në vendvotimin e rregullt edhe në vendvotimin me kusht.

“Edhe në skanimin e listës përfundimtare të votuesve, e cila ka shërbyer që votuesit të nënshkruhen në ditën e zgjedhjeve, ka progres të theksuar. Deri më tani është skanuar lista përfundimtare e votuesve nga 2 mijë e 292 vendvotime (96.22%)”.

Elezi thotë se kjo ka ndodhur për shkak se disa prej tyre janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës, disa të tjera për shkak se janë dërguar nga persona që janë refuzuar në periudhën e aplikimit.

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë duke u zhvilluar një sërë aktivitetesh njëkohësisht. Sipas Elezit këto aktivitete janë procesimi i të dhënave të formularëve të rezultateve të kandidatëve dhe subjekteve politike, skanimi i listës përfundimtare të votuesve dhe procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime të cilat kanë ardhur nga jashtë Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore