Kosova

Kosovë: Votimi i diasporës, KQZ refuzon disa aplikacione


Ilustrim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë, në mbledhjen e të mërkurës, ka bërë të ditur se tashmë kanë pranuar 10 mijë e 638 aplikime për regjistrim si votues nga jashtë Kosova, ku prej tyre janë aprovuar 9 mijë e 652.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar rekomandimin për refuzimin e aplikacioneve nga e-mail e dyshimta që kanë pranuar nga qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se tashmë i mbetet prokurorisë të hetojë ato e-mail të dyshimta.

“Gjatë kësaj periudhe të regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, janë evidentuar disa raste një numër prej, 800 email që janë dorëzuar në KQZ përmes email adresës që për KQZ-në janë të dyshimta, nuk janë kredibile, dhe janë një tendencë ndoshta për manipulime zgjedhjeve”, ka thënë Radoniqi.

Ai theksoi se, “miratohet rekomandimi për refuzimin e aplikacioneve për regjistrim për votim jashtë Kosovës nga emailat e adresat e dyshimta”.

Anëtari i PDK-së në këtë komision, Arianit Elshani, deklaroi se këto e-mail nuk janë kredibile dhe kanë për tendencë manipulimin e zgjedhjeve.

“Për KQZ-në janë të dyshimtë, nuk janë kredibile dhe janë një tendencë ndoshta për manipulimin e zgjedhjeve. Këto i kemi trajtuar dhe kemi rëne në konstatim se pas kontaktimit të 89 aplikacione, vetëm 3 kanë konfirmuar identitetin e tyre, të tjerët s’janë përgjigjur në numrat e tyre të telefonit ose s’kanë qenë funksionalë. Në total është numri prej 800 aplikacioneve të tilla që kanë ardhur”.

Afati për aplikim nga diaspora për regjistrim për zgjedhjet e 17 tetorit përfundon sonte pas mesnate.

Gjatë periudhës 40 ditore, shtetasit e Kosovës më të drejtë vote që jetojnë jashtë Republikës së Kosovës kanë pasur mundësinë të aplikojnë për regjistrim për të votuar përmes postës.

Ndryshe, subjektet politike kanë të drejtë 30 ditë për të bërë fushatë zgjedhore. Ndërkaq, shumica prej partive tashmë kanë zyrtarizuar kandidatët për kryetar të komunave.

Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nga 17 qershori deri më 16 gusht ka pranuar aplikacionet e 94 subjekteve politike, prej të cilave 32 parti politike, një koalicion, 35 iniciativa qytetare dhe 26 kandidatë të pavarur.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve që përfaqësojnë këto subjekte politike është 4 mijë e 922 kandidatë, prej të cilëve 165 kandidatë për kryetarë të komunave dhe 4 mijë e 757 për kuvende komunale.

Nga 10 korriku, ka filluar aplikimi për regjistrim të votuesve jashtë vendit, për Zgjedhjet Lokale që do të mbahen më 17 tetor të këtij viti.

Afati për aplikim për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës ka zgjatur deri më 18 gusht, gjithsej 40 ditë në dispozicion.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore