Lajme

Kosovë: Të punësuarve të rinj do t’u paguhen kontributet pensionale për një vit


Ilustrim

Ministri i Financave, Punёs dhe Transfereve Hekuran Murati, ka marrë vendim që të punësuarave të rinj të iu paguhen kontributet pensionale për një vit.

“Përmes masës 1.2, secilit prej të punësuarve të rinj do t’u paguhen kontributet pensionale në vlerë prej 10% të pagës bruto, duke filluar nga muaji korrik 2021 e deri në muajin qershor 2022”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.

“Kusht për subvencionim është që punëtori të mos figurojë si i punësuar në deklaratën e muajit qershor 2021”.

Sipas Ministrisë së Financave, njëra ndër masat kryesore të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, është formalizmi i ekonomisë dhe mbështetja e të punësuarve, duke theksuar se kjo masë shërben si një tjetër instrument në luftimin e efekteve negative të pandemisë.

Për të përfituar nga subvencioni, punëtorët e rinj duhet të deklarohen nga punëdhënësi në deklaratën e rregullt mujore që dorëzohet në sistemin elektronik EDI të Administratës Tatimore të Kosovës, duke filluar nga data 1 gusht 2021 (për periudhën tatimore korrik 2021).

Pasi që të bëhet deklarimi, punëdhënësi duhet të plotësojë formularin për subvencionin, po ashtu përmes sistemit EDI.

Aplikimi për subvencion nga masa 1.2 do të mund të bëhet deri më 15 shtator.

Kurse për hapjen dhe udhëzuesit e aplikimit, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka bërë të ditur se do të njoftoj gjatë ditëve në vijim.

Ndërkaq, gjatë ditës së enjte Fondi i Kursimeve Pensionale, ka bërë të ditur se kthimi bruto nga investimet e Qeverisë dhe depozitave bankare, për gjatë muajve janar-qershor ka arritur në 108 milionë euro, kurse asetet e fondit janë rritur për 177 milionë euro.

Jeton Demi, zëdhënës në Trustin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, ka bërë të ditur për Albanian Post se kjo ndikon pozitivisht në kontributet pensionale të qytetarëve.

Të gjithë të punësuarit në Kosovë paguajnë 10 për qind kontribute pensionale nga paga e tyre: pesë për qind paguan punëdhënësi, kurse pesë për qind nga paga e të punësuarit.

Kursimet pensionale mund të përdoren nga kontribuesi vetëm pasi t’i përmbushë kriteret për pension.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore