Kosova

Kosovë: Të mërkurën protestohet për mbrojtjen e vajzave dhe grave


Foto nga arkivi.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist pas rastit të dhunimit seksual të 11 vjeçares ka bërë të ditur se do të protestojnë në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe do të paraqesin tri kërkesa.

Aty do të kërkohet mbrojtje dhe siguri nga shteti për vajzat dhe gratë, trajtim të drejtë të rasteve të dhunës ndaj grave dhe dënime meritore për dhunuesit, si dhe legalizimin e përdorimit dhe shpërndarjen e gazit irritues për vetëmbrojtje (pepper spray).

“Ky rast i përdhunimit është edhe një alarm që tregon për pasigurinë dhe tmerrin të cilin e jetojnë vajzat dhe gratë në Kosovë, në çdo hapësirë ku ato gjenden. Në Kosovë, rrugët, parqet, sheshet, dhomat e shtëpisë, hapësirat e shkollës a punës janë shpesh edhe vende krimi”.

“Aty vajzat e gratë ngacmohen, dhunohen e vriten. E shteti e shoqëria, përtej sensacionit, heshtin. E kjo heshtje po ua merr sigurinë dhe jetën vajzave e grave”, thuhet në njoftimin e organizatës.

Protestë për vajzat dhe gratë të mërkurën në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Sipas tyre, Kosova ka dështuar të trajtojë sigurinë e grave si çështje të sigurisë publike.

“Përkundër dhunës së dukshme e të përditshme, shteti është duke dështuar që ta trajtojë sigurinë e grave si çështje të sigurisë publike. Raporte të ndryshme tregojnë që rastet e dhunës ndaj grave hasin në neglizhencë institucionale, me dënime të cilat shpesh janë nën ndëshkimet e parapara me ligj. Kjo qasje patriarkale është duke i lënë vajzat dhe gratë pa mbrojtje dhe lehtësisht të dhunueshme”.

Lajmi i 29 gushtit se një e mitur 11 vjecare është dhunuar nga 5 persona ka tronditur qytetarët e Kosovës.

Lidhur me këtë rast ka pasur reagime të ndryshme nga krerët e institucioneve, secili prej tyre ka kërkuar angazhim shtesë në sigurinë e vajzave dhe grave.

Osmani kërkon hetim rigoroz

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kërkuar hetim rigoroz ndaj këtij rasti.

“Tronditës akti çnjerëzor i dhunimit seksual të të miturës 11 vjeçe. Kërkoj një hetim rigoroz dhe përgjegjësi para ligjit për kryesit e veprës”.

“Me ashpërsinë dhe vendosmërinë më të madhe duhet ta përsërisim njëzëri se askush s’është mbi ligjin. Ligji duhet të jetë i ashpër me secilin keqbërës të tillë, e posaçërisht në rastet sikur ky kur cak i dhunimit janë fëmijët”, ka shkruar Osmani.

E para e shtetit, ka kërkuar që vazhdimisht të përsëritet nga të gjithë se askush nuk mund të jetë mbi ligjin.

Kurti kërkon dënim meritor ndaj të dyshuarve që dhunuan 11-vjeçaren

Edhe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kërkoi dënim meritor për dhunuesit e vajzës 11 vjeçare.

Ai përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se akte të tilla brutale të dhunës ndaj fëmijëve duhet të trajtohen me seriozitet.

“Kërkoj nga organet e rendit dhe të hetuesisë që të vënë personat e dyshuar sa më shpejtë para drejtësisë, e që kryerësit të marrin dënimin meritor për këtë vepër kaq të rëndë e tronditëse, të dënueshme e të papranueshme”, ka shkruar Kurti.

Ndërkaq çështjen e dhunës ndaj vajzave dhe grave e konsideron si çështje të sigurisë publike.

Sveçla: Janë arrestuar edhe dy të dyshuar për dhunimin e 11-vjeçares

Gjithashtu, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar ndaj këtij rasti.

Ai përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se nga institucionet ka kërkuar angazhim maksimal në këtë drejtim teksa ka thënë se janë arrestuar edhe dy persona të tjerë.

“Nga Policia e Kosovës kam kërkuar angazhim maksimal për arrestimin sa më të shpejtë të të gjithë kryesve të këtij akti makabër dhe sapo u njoftova se janë arrestuar edhe 2 të tjerë. Koordinimi i të gjitha organeve kompetente është i domosdoshëm sepse nuk ka asnjë dilemë që dënimi ndaj këtyre kriminelëve duhet të jetë maksimal”.

Sveçla, është shprehur i shqetësuar për sigurinë e vajzave në Kosovë.

“Me shqetësim kam pranuar lajmin për dhunimin e një vajze të mitur, 11 vjeçare, nga 5 persona për disa orë me radhë. Jam i vetëdijshëm për shqetësimin e drejtë të secilit prind e secilës vajzë në vendin tonë”.

Po ashtu edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar nga organet e rendit që të jenë sa më prezent në hapësirat publike dhe më vigjilent ndaj rasteve të tilla.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj, ka thënë për Albanian Post se ndaj rastit të dhunimit të së miturës janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.

“Ndaj rastit në fjalë janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në koordinim me të gjitha institucionet relevante, andaj, meqë kemi të bëjmë me procedurë për të mitur, nuk mund të japim informata të tjera, për shkak të ruajtjes së integritetit të të miturve në procedurë”, deklaroi Ulaj.

Ndërsa Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim për caktimin e masës së paraburgimit për një muaj, ndaj dy të miturëve të cili dyshohet që së bashku me katër persona të tjerë dhunuan një të mitur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore