Lajme

Kosovë: Provimi i Maturës shtyhet për 26 qershor


Provimi i Maturës, i paraparë të mbahet më 28 maj, është shtyrë për datën 26 qershor.

Kështu ka vendosur Ministria e Arsimit në Kosovë, pas kërkesës që u ka ardhur nga shkollat.

“Me kërkesë të Drejtorive Komunale të Arsimit (DKA), konkretisht shkollave, për shkak të afatit të shkurtër të paraqitjes së provimit për arsye se ka pasur lëvizje të kalendarit shkollor, Komisioni Shtetëror i Maturës ka  vendosur që Provimi i Maturës të shtyhet, pra të mbahet më 26 qershor 2021”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Tutje, kjo ministri thotë se si pasojë e pandemisë Covid-19 edhe këtë vit, njësoj si vitin e kaluar, Provimi i Maturës do të mbahet brenda një dite.

Në të kaluarën ky provim ishte mbajtur në dy ditë.

“Si pasojë e pandemisë Covid-19, e cila ka reflektuar në shumë dimensione në ecurinë dhe mbarëvajtjen e procesit edukativo-arsimor në vitin shkollor 2020/2021, si dhe në reduktimin e përmbajtjes mësimore dhe mbajtjes së orëve mësimore me orar të shkurtuar edhe këtë vit sikurse vitin e kaluar, Provimi i Maturës do të mbahet brenda një dite”, thotë MASHTI.

Ministria thotë se Komisioni Shtetëror i Maturës bashkë me MASHTI-n mbeten të përkushtuar që ky provim të realizohet konform kritereve dhe standardeve të përcaktuara me ligj.

“Bazuar në rekomandimet e Komisionit, paraqitja e Provimit të Maturës do të bëhet nga data 7 deri më 15 qershor 2021”, thuhet në njoftim.

Publikimi i rezultateve të Provimit të Maturës, sipas ministrisë, do të bëhen më datën 5 korrik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore