Lajme

Kosovë: Polici pezullohet veç pse u ankua për shujtat


Ilustrim

Amir Hoxha, zyrtar i Policisë së Kosovës, është pezulluar nga detyra për një afat kohor prej tre ditësh, pasi i njëjti ka postuar në rrjetin e tij social në Facebook një status lidhur me pakënaqësinë e tij për mos pagesën e shujtave për policët.

Ai madje i indinjuar me rregulloren e Kuvendit për pagesën e udhëtimit për deputetët, ka bërë krahasimin ndërmjet një polici, të cilit nuk i paguhet shujta gjatë kryerjes së detyrës dhe një deputeti i të cilit i paguhet karburanti, edhe pse ky i fundit mund të bëjë edhe pa të.

Për Policin në fjalë pezullimi i tij nga detyra vjen me pretekstin se i njëjti ka kryer vepër penale apo shkelje të rëndë disiplinore, pasi ka shprehur mendimin e tij të lirë për një pakënaqësi.

“Sapo mora njoftimin për suspendim të përkohshëm timin në afat prej tre ditësh lidhur me një postim që e kam bërë me datën 04.02.2022 në lidhje me pakënaqësinë time për mos-pagesën e shujtave për policët ne kryerje të detyrës e qe ligjërisht na takojnë”, ka shkruar Hoxha në Facebook.

“Me sa e di unë me njohurinë time si jurist i diplomuar në Universitetin e Prishtinës ‘fjala e lire apo shprehja e një pakënaqësie e cila është e bazuar në Ligj’ nuk paraqet vepër penale”.

Amir Hoxha, polici i suspenduar

Hoxha, i dëshpëruar nga ky vendim thotë se ai ka gabuar në idenë se deri më tani ka jetuar në një vend demokratik, ku fjala e lirë mbrohet dhe ruhet si vlerë.

“Pushtetit kur i lëkunden interesat e veta elektorale po i goditka edhe instrumentet e veta qe vet i përdor për ruajtjen e qenësisë së po atij pushteti”, ka shtuar ai.

“Kërkesat e mija të ligjshme do t’i adresojë në të gjitha institucionet ligjore që mbrojnë te drejtat dhe liritë themelore të njeriut duke i përfshi  gjykatat, Avokatin e Popullit si dhe organizatat që merren për mbrojtjen e drejtave dhe lirive themelore të njeriut”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore