Lajme

Kosovë: Për tetë muaj, katër të vdekur në burgje


Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ka treguar se për tetë muaj “kanë vdekur katër të burgosur me diagnozë terciare”.

Kështu KMDLNJ, përmes një komunikate për media ka theksuar që të burgosurve me sëmundje të pashërueshme t’iu mundësohet lirimi nga vuajtja e dënimit ose dënimi të zëvendësohet me një masë tjetër e që sipas tyre më i përshtatshmi do të ishte arresti shtëpiak.

“Praktikat e deritashme që, për shkak të diagnozës terciare, sëmundjeve të pashërueshme, të burgosurve t’iu mundësohet ta pezullojnë dënimin e ka një përparësi që i mundëson të burgosurit të vdesë në shtëpi, pranë familjes dhe ta ulë numrin e të dënuarve që vdesin në burgje”, thuhet në komunikatë.

Sipas KMDLNJ-së, Shërbimi Shëndetësor i Burgjeve, përkundër vullnetit, “nuk ka kapacitete profesionale të mjaftueshme të trajtojë raste me diagnoza terciare kurse trajtimi në Klinikat përkatëse përcillet me shumë pengesa dhe probleme, nga ato logjistike, deri te ato të sigurisë”.

KMLDNJ ka propozuar që të formohet një Komision i Pavarur Shëndetësor që do të trajtonte këto raste dhe i cili do të dilte me propozime konkrete, jo për pezullim të përkohshëm të dënimit, por për ndërprerje të dënimit.

“Nga kjo ndërprerje do të përjashtoheshin kryerësit e veprave me rrezikshmëri të lartë dhe që paraqesin rrezik për sigurinë e përgjithshme e që do të duhej të saktësohej me Ligjin për Ekzekutim të Sanksioneve Penale”, vijon tutje njoftimi.

Po ashtu, KMLDNJ ka thënë se shteti duhet ta ketë parasysh edhe aspektin humanitar për raste që përfundojnë me fatalitet për të burgosurit dhe që “në Ligjin e rishikuar do të saktësoheshin qartë duke krijuar një bazë ligjore, edhe për gjykatësit që i trajtojnë këto raste me propozim të Komisionit Shëndetësor, SHKK apo institucioneve tjera”.

“Deri sa të kemi paqartësi dhe mungesë të bazës përkatëse ligjore, të burgosurit me diagnoza terciare do të vazhdojnë të vdesin (të tillë janë 20 të burgosur), SHKK -ë dhe SHSHB-ve do të vihen në situatë të rëndë pa pasur ndonjë përgjegjësi konkrete, familjarët do të dyshojnë se nuk iu është ofruar shërbim i nevojshëm për anëtarë të familjeve që kanë vdekur si të burgosur si dhe do të humbë besimi në këto institucione”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore