Zgjedhjet në Kosovë

Kosovë: Numërohen të gjitha fletëvotimet nga KQZ-ja


Kutit e votimit

Ka përfunduar numërimi i fletëvotimeve nga të gjitha vendvotimet në Kosovë dhe Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të udhëheq me 47.90 % votave, ndërsa e dyta është Partia Demokratike e Kosovës me 17.7 %.

Në vend të tretë radhitet Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.07 % të votave, ndërkohë Nimsa Socialdemokrate mbetet nën prag me 2.58 %.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha për Albanian Post, se janë procesuar të dhënat e 99% të vendvotimeve.

“Më lejoni gjithashtu t’iu njoftoj se numërimi i fletëvotimeve nga vendvotimet ka përfunduar të dielën në mbrëmje dhe në web faqen e KQZ-së janë procesuar të dhënat e pothuajse 99% të vendvotimeve”.

Ai tha se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon të pranohet materiali i ndjeshëm zgjedhor që është përdorur dje gjatë ditës së zgjedhjeve.

“Kanë mbetur disa vendvotime numër i vogël rreth 40 prej tyre të dhënat e të cilave do të përditësohen do të ngarkohen në web faqe gjatë ditës së sotme”.

Sipas Elezit, votat me kusht dhe ato me postë ende nuk janë numëruar.

Vota e diasporës, e cila shkon tradicionalisht për Vetëvendosjen, pritet ta rritë akoma këtë fitore të Kurtit.

Pas diçka më shumë se 10 vjet aktivitet politik brenda sistemit zgjedhor dhe rreth 16 vjet e formuar si Lëvizje, Vetëvendosja ka fituar më shumë se kushdo tjetër në historinë e pasluftës në Kosovë.

Kur kanë mbetur edhe fare pak vota për t’u numëruar, në grafikonet e Komisionit Qendror Zgjedhor, tregohet se VV-ja ka fituar mbi 48 për qind.

Parlamenti i Kosovës ka 120 ulëse dhe 20 janë të rezervuara për komunitetet pakicë – 10 për serbët dhe 10 për komunitetet tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore