Zgjedhjet në Kosovë

Kosovë: Numërohen gjysma e votave me kusht, refuzohen 22 mijë


Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë numëruar më shumë se gjysma e votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta, ka thënë zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valmir Elezi.

“Sipas të dhënave janë rreth 32 mijë fletëvotime të konfirmuara me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta të cilat aktualisht janë pjesë e procesit të numërimit. Deri më tani janë numëruar gjysma e tyre”, ka thënë Elezi në një konferencë për media.

Nga numri total i pakove të proceduara pas procesit të vlerësimit, “janë aprovuar gjithsejtë 56 mijë e 610 zarfe me fletëvotime dhe janë refuzuar 22 mijë e 591 zarfe me fletëvotime nga diaspora”, ka thënë Elezi.

Arsyet e refuzimit janë të ndryshme dhe janë të kategorizuara në shtatë grupe kryesore:

“Nëntë mijë e 199 zarfe janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës, gjashtë mijë e 665 zarfe janë dërguar nga persona që nuk kanë arritur të regjistrohen si votues jashtë Kosovës, një  mijë e 325 votues kanë dërguar fletëvotime nga dy herë, dy mijë e 451 zarfe të dërguara nga votues të paidentifikuar, 910 zarfe të dërguara nga votues të cilët kanë bashkangjitur dokumente jovalide për identifikim dhe një mijë e 656 zarfe me fletëvotime jashtë rrethit të ngushtë familjar”, thuhet në konferencë.

Tutje ai ka treguar se pas përfundimit të numërimit të këtyre fletëvotimeve, në QNR do të fillojnë me numërimin e votave nga jashtë vendit, të cilat kanë ardhur përmes postës nga data dy deri më 12 shkurt.

Po ashtu ai ka njoftuar se shërbimi votues i KQZ-së tashmë ka përmbyllur procesin e vlerësimit dhe verifikimit të pakove të supozuara me fletëvotimeve.

Gjithashtu KQZ ka bërë të ditur se deri në orën 15:00  janë numëruar 13 mijë e 570 vota me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.

Lëvizja Vetëvendosje ka marrë gjashtë mijë e 747 vota, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 2 mijë e 373 vota.

E treta renditet Lidhja Demokratike e Kosovës me një mijë e 473 vota dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me një mijë e 301 vota.

“Në QNR është duke vazhduar procesi i numërimit të votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta”, proces ky që ka filluar të dielën në orën 22:00.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore