Lajme

Kosovë: Nuk përjashtohet mundësia për masa të reja anti-COVID’19


Takim në mes të ambasadorit amerikan, Philip Kosnett dhe ministrit të shëndetësisë, Arben Vitia

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka vlerësuar se situata me pandeminë e COVID-19 në Kosovë është shqetësuese dhe nuk përjashton mundësinë që autoritetet të ndërmarrin masa shtesë.

Kështu thuhet në njoftimin e Ministrisë së shëndetësisë, ku bëhet e ditur se ministri Vitia është takuar me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett.

Në këtë takim, është diskutuar për situatën rreth COVID-19 në Kosovë, për të cilën “është vlerësuar se është shqetësuese dhe kërkohet respektim i masave në fuqi, pa e përjashtuar edhe plotësimin e këtyre masave me të tjera, duke u bazuar në ecurinë e situatës epidemiologjike në vend”.

Në takim është theksuar edhe se pandemia ka përkeqësuar situatën, jo vetëm në rrafshin shëndetësor por edhe në atë ekonomik e social.

Tutje në njoftim thuhet se gjatë këtij takimi është diskutuar edhe procesin e vaksinimit në Kosovë dhe angazhimin e qeverisë dhe MSH-së për sigurimin e dozave të tjera në mënyrë që të arrihet në një numër të lartë të të vaksinuarve.

“Në këtë aspekt, Vitia e ka vlerësuar si shumë të nevojshme ndihmën nga partnerët dhe është shprehur mirënjohës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, COVAX si dhe kontributin e përhershëm për shëndetësinë në Kosovë”, vijon njoftimi.

Në anën tjetër Kosnett ka shprehur gatishmërinë e SHBA-së që të ndihmojë edhe më tej Kosovën në luftën kundër pandemisë.

“Kosnett ka theksuar se SHBA-të përmes programeve të tyre do të vazhdojnë të jenë partner të institucioneve të Kosovës në fuqizimin e angazhimeve për përballimin e situatës me COVID-19”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq sipas statistikave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, numri total i rasteve pozitive me Coronavirus në Kosovë është 91 mijë e 405 ku 13 mijë e 874 mbesin raste aktive.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore