Lajme

Kosovë: Një muaj paraburgim për gjashtë personat që rrëmbyen dy shtetas maqedonas


Një muaj paraburgim për gjashtë persona – përfshirë edhe dy zyrtarë policorë – që dyshohen të jenë përfshirë në rrëmbimin e dy personave, shtetas të Maqedonisë.

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditë të pandehurve V.K., M.I., B.N., V.K., F.S. dhe M.Z.

Ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit me datën 16 – 17 shkurt 2021, me dashje dhe me qëllim të përfitimit material, kanë mbajtur nën kërcënim të armës të dëmtuarit Z.R. dhe A.A. në një vilë në komunën e Novobërdës.

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, ka refuzuar kërkesën e mbrojtësve të të pandehurve për caktimin e masave alternative, duke konsideruar se caktimi i masës së paraburgimit krijon kushte për zhvillimin me sukses të procedurës penale.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur të martën rreth orës 22:00, në Novobërdë.

Siç thuhet në raport, viktimave u është ofruar tretman mjekësor ndërsa me urdhër të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore