Kosova

Kosovë: Nënshkruhet Udhëzimi Administrativ, hapet rruga për blerjen e vaksinave Pfizer


Arben Vitia, Ministri i Shëndetësisë në Kosovë

Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Arben Vitia, e ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ për vaksinat anti-COVID.

Udhëzimi Administrativ për Ndryshimin dhe Plotësimin e Udhëzimit Administrativ Nr. 01/2015, Autorizimi për Marketing për Produktet Medicinale i cili i hap rrugë sjelljes së vaksinave anti-COVID në Kosovë, është nënshkruar nga ministri i Shëndetësisë Arben Vitia”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas këtij dokumenti, vaksinat duhet të kenë miratimin e Zyrtarëve të lartë nga Komisioni Evropian (EMA) dhe Administrata e ushqimit dhe barnave të Shteteve të Bashkuara (FDA). Ky udhëzim administrativ i hap rrugë blerjes së vaksinave nga kompania Pfizer.

Tutje në njoftim thuhet se ky udhëzim “ua mundëson palëve kontraktuale që të marrin me kusht autorizim-marketingun për vaksinat kundër COVID-19, duke përjashtuar dispozitat e Udhëzimit Administrativ 01/2015. Ky i fundit në Nenin 6 përcakton që AM lëshohet me kusht që çdo person juridik apo korporatë duhet të ketë të regjistruar biznesin në Republikën e Kosovës”.

Ky nen është përjashtuar nga udhëzimi i ri administrativ, i cili vlen vetëm për vaksinat kundër COVID-19.

Bazuar në këtë dokument, importi i vaksinave bëhet sipas legjislacionit në fuqi dhe kritereve të përcaktuar në marrëveshje në mes MSH-së dhe palës kontraktuale për sigurimin e vaksinave anti-COVID.

Në njoftimin e MSH-së thuhet se “ndryshimet janë bërë me kërkesë të kompanive ndërkombëtare, të cilat prodhojnë vaksina sikur kompania Pfizer/Biontech, të cilat nuk kanë pranuar të kenë përfaqësues në vendet ku dorëzohen vaksinat”.

Udhëzimi Administrativ ka hyrë në fuqi më 19 prill të vitit 2021.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore