Lajme

Kosovë: Në pesë ferma asgjësohen pula të dyshimta me gripin e shpezëve


Ilustrim

Në Laboratorin e Ushqimit dhe Veterinarisë, ka rezultuar se në Kosovë është prezentë Gripi i Shpezëve i tipit H5N8.

Këtë e kanë konfirmuar Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë me anë të një njoftimi për media të shtunën.

“Janë asgjësuar shpezët në pesë ferma të ekonomive familjare në katër qytete të ndryshme, dhe dy ferma të tjera janë duke u diagnostikuar dhe të cilat po mbahen në izolim”, thuhet në njoftimin e AVUK-ut.

Sipas Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë “pas kryerjes se hulumtimeve diagnostikuese në fermat e dyshimta mostra e testuar në Laboratorin e Ushqimit dhe Veterinarisë kanë detektuar prezencën e Gripit të shpezëve Influenca Aviane A Subtipizimi H5 dhe N8 ( Gripi i shpezëve H5N8). Testi është kryer në Strishot orofaringeale (pulë) me metodën Real Time RT-PCR”.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, kanë njoftuar se “gripi i tipit H5N8 është një nënlloj i virusit A, i cili është vdekjeprurës për zogjtë e egër dhe shpezët”.

Në njoftimin AVUK-ut thuhet se gripi i shpezëve kryesisht përhapet nga kontakti i drejtpërdrejtë midis zogjve të infektuar dhe atyre të shëndosha.

“Mund të transmetohet, kur zogjtë bien në kontakt me pajisje ose materiale përfshirë ujin dhe ushqimin për kafshë që janë kontaminuar me jashtëqitje ose sekrecione nga hunda ose goja e zogjve të infektuar”.

H5N8 zakonisht nuk infekton njerëzit. Por, shtatë persona në Rusi janë infektuar në vitin 2021, ata ishin punëtorë të fermave të pulave të cilët morën pjesë në një operacion reagimi për të parandaluar një shpërthim të gripit të shpendëve A (H5N8).

Para disa dite, është bërë e ditur se ka dyshime për paraqitjen e gripit të shpezëve tek shpezët në katër lokacione të ndryshme në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore