Kosova

Kosovë: Ministrja Haxhiu kritikon prokurorin në rastin që vet ishte e akuzuar


Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë

“Shumë efektiv në rastin tonë, pse s’po jeni efektiv në rastet e korrupsionit”, ka qenë reagimi i ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu, drejtuar prokurorit Ilaz Beqiri, në seancën që është zhvilluar të martën lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës gjatë vitit 2016.

Megjithëkëtë, Gjykata Themelore në Prishtinë i ka liruar nga akuzat për armëmbajtje pa leje, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputetin Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu që akuzoheshin për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2016 në mungesë të provave, raporton Betimi për Drejtësi, përcjellë Albanian Post.

Sipas aktakuzës së ngritur me 8 prill 2016, Lekaj, Baftiu, Kadaj-Bujupi dhe Haxhiu akuzohen se pa autorizim kishin poseduar bombola të gazit lotsjellës.

Në aktakuzë thuhet se më 19 shkurt 2016, rreth orës 12:20, në hollin e Kuvendit e Kosovës, pas pauzës së punimeve të Kuvendit, derisa të akuzuarit ishin duke u kthyer në sallë, gjatë kontrollit nga ana e punëtorëve të sigurimit të Kuvendit, tek të akuzuarit ishin gjetur dhe sekuestruar nga një bombole e gazit lotsjellës, të cilën e mbanin pa autorizim.

Për këto veprime, katër të akuzuarit dyshohej se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore