Kosova

Kosovë: Mbi një mijë targa të përkohshme u lëshuan brenda 24 orëve


Foto: Ilustrim

Ministria e Punëve të Brendshme në Kosovë, ka njoftuar se në ditën e parë të nisjes së zbatimit të reciprocitetit për targat e përkohshme, janë lëshuar gjithsejtë një mijë e 455.

komunikatën për media nga MPB, thuhet se situata vazhdon të jetë e qetë dhe pa incidente.

“Policia e Kosovës bazuar në detyrat dhe autorizimet e saj është duke vazhduar ndërmarrjen e veprimeve policore në nivel vendi, përfshirë të gjitha pikat e kalimit kufitarë me qëllim të zbatimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë-konkretisht targave të automjeteve, ku gjatë 24 orëve të fundit ministria ka lëshuar një mijë e 455 targa provuese”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, sipas njoftimit theksohet se angazhimi dhe realizimi i detyrave policore do të vazhdojë në interes të ruajtjes së rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend.

“Policia e Kosovës në vazhdimësi është kujdesur për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme operative dhe logjistike që të mundësojë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave në nivel vendi”, vijon njoftimi.

Në anën tjetër kjo ministri ka bërë thirrje që me qëllim të mundësimit të qarkullimit të lëvizjes së lirë, qytetarët të cilët planifikojnë të shfrytëzojnë pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë, të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim, për shkak të krijimit të pengesave të mundshme.

Ndërkaq, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë pritur në takim ambasadorët e vendeve të QUINT-it, dhe shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, për të diskutuar mbi vendimin e ditës së hënë të qeverisë rreth reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia.

Ai ka informuar ambasadorët se në asnjë vendkalim kufitar as gjatë ditës së hënë dhe as gjatë të martës nuk ka pasur incidente duke shtuar se vendimi i qeverisë nuk ishte provokim e as diskriminim ndaj askujt dhe se Policia e Kosovës ka qenë dhe është profesionale, korrekte dhe efikase.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit me ambasadorët e QUINT-it

“Te ky reciprocitet i targave të përkohshme për vetura ose Kosova dhe Serbia kanë të dyja të drejtë, ose e kanë të dyja gabim. Pra, ose do t’i mbajmë aso lloj targash të dyja shtetet, ose le t’i heqim ato edhe Kosova edhe Serbia”, ka thënë  Kurti.

Ambasadorët dhe Kryeministri Kurti, gjatë takimit janë pajtuar që duhet ruajtur paqen dhe qetësinë, stabilitetin dhe sigurinë, dhe se dialogu duhet të vazhdojë e situata duhet të de-eskalojë.

Ndërsa në anën tjetër Ministri Sveçla, ka potencuar se qytetarët serbë nuk kanë pse të ndjehen të frikësuar.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla në takim me ambasadorët e QUINT-it

“Masat e ndërmarra nuk janë kundër atyre dhe as kundër ndokujt tjetër. Policia nuk merret me nacionalitetin e udhëtarëve. Ajo i mbron e respekton të gjithë qytetarët pa dallim”, ka thënë Sveçla.

Që nga orët e hershme të mëngjesit të së hënës, Policia e Kosovës, konkretisht Njësia Speciale Operative është vendosur në pikë kalimin e vjetër kufitar në mes të Kosovës dhe Serbisë, në Jarinje të komunës së Leposaviçit, për të filluar reciprocitetin e targave.

Ilustrim, zbatimi i reciprocitetit të targave

Të gjitha veturat që deri më tani kanë pasur targa të Serbisë, duhet t’i zëvendësojnë ato me “RKS”, targa të Republikës së Kosovës”, nëse duan të qarkullojnë brenda vendit.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore