Lajme

Kosovë: Kryetari i KQZ-së kërkon përshpejtimin e procesit të reformës zgjedhore


Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka kërkuar përshpejtimin e procesit të reformës zgjedhore.

Radoniqi, këtë kërkesë e ka paraqitur para deputetëve në Komisionin për Legjislacion, ku ka theksuar sfidat kryesore të këtij institucioni gjatë vitit 2020.

“Për shkak të pandemisë COVID-19, viti 2020 ka qenë i vështirë edhe për KQZ-në për përmbushjen e obligimeve. Sfidë mbetet mosndryshimi i Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale. Mosintergirmi i sistemit të adresave që po ndikon në saktësinë e votuesve”, ka thënë Radoniqi.

Sipas tij, sfidë mbetet mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme komunale në dy komunat e Kosovës.

“KQZ-ja është përballur me sfidën e zgjedhjeve në kohë pandemie në komunën e Podujevës dhe në atë të Mitrovicës së Veriut. Masat e ndërmarra nga KQZ-ja në zgjedhjet në ato dy komuna i kanë shërbyer si një vlerë edhe në organizmin e zgjedhjeve të parakohshme të shkurtit. Ky vit ka qenë sfidues në realizimin e planeve në kohët e paracaktuara. KQZ-ja në shumicën e kohës ka punuar me staf esencial”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër, deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ka shprehur shqetësimin e saj në lidhje me mos emërimin e një anëtari të dytë nga PDK-ja në KQZ.

Sipas saj, ky vend po tentohet t’i lihet një kandidateje për deputete nga Lista “Guxo”.

Ajo ka theksuar edhe njëherë vendimin e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për shkarkimin nga kryesia e KQZ-së, Valdete Dakës, duke thënë se vendimet e tilla janë të paprecedenta.

“Ne konsiderojmë që po bëhet një shkelje tipike nga presidentja e vendit për faktin se kandidati i tretë që pritet të hyjë në KQZ është një kandidatë e Listës Guxo. Është e paprecedent mënyra se si Osmani ka shkarkuar një zonjë që ka respektuar ligjet e Kosovës”.

Ndërkaq, deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, kërkoi të di se sa është përgatitur KQZ-ja për zgjedhjet lokale, të cilat do të mbahen më 17 tetor të këtij viti.

“Raporti për vitin 2020 është narrativ, shpjegues e sqarues. A e kemi fjalën për të bërë diçka reformë më këtë periudhë kohore apo diçka më afatgjate, përgatitjet për zgjedhjet lokale në çfarë faze janë”, ka pyetur ai.

Ndërsa, deputeti tjetër i PDK-së, Hajdar Beqa, ka thënë se Kosova ka nevojë për një refomë zgjedhore, por jo të bëhet me nguti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore