Lajme

Kosovë: KGJK dhe Gjykata Themelore në Prishtinë bëhen me drejtues të rinj


Mbledhja e Këshillit Gjyqësor i Kosovës

Me shtatë vota nga njëmbëdhjetë, aq sa anëtarë ka Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Albina Shabani-Rama është zgjedhur kryetare e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Gjyqtarja Albina Shabani-Rama do ta udhëheqë Gjykatën Themelore të Prishtinës me mandat 5-vjeçar.

Aktualisht ajo është gjyqtare në Departamentin Special në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Albina Shabani-Rama është diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, në vitin 2004, ndërsa ka mbaruar studimet post-diplomike në vitin 2008 dhe ka marrë titullin Master i shkencave Juridike-Penale.

Në vitin 2013, ka përfunduar provimin e jurisprudencës.

Gjyqtarja Shabani-Rama, nga viti 2005 deri në vitin 2013, ka punuar si zyrtare e lartë për Ankesa në Policinë e Kosovës, po ashtu edhe zëvendëskryesuese e Komisionit për Ankesa dhe Shpërblime në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.

Kurse nga viti 2013 deri në vitin 2015 ka punuar edhe si Inspektore Gjyqësore në Zyrën e Prokurorit Disiplinor.

Si gjyqtare, ajo është emëruar në vitin 2015 në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Penale në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Në këtë Departament ka vazhduar punën deri në mesin e vitit 2016, kur është caktuar gjyqtare në Departamentin për të Mitur, ku ka punuar deri në qershor të vitit 2019.

Ajo sërish ka ndërruar departament brenda gjykatës, duke kaluar në Departamentin Special, pozitë të cilën e mban edhe tani.

Garën për të marrë detyrën e udhëheqësit të Gjykatës Themelore në Prishtinë e ka fituar gjyqtari Arben Hoti, me tre vota, kurse kundërkandidati i tij gjyqtari Valon Kurtaj mori një votë.

Dy kandidatët e tjerë në këtë garë, të cilët nuk morën asnjë votë, janë gjyqtarët Vesel Ismaili dhe Fatime Dermaku.

Gjatë votimit të kandidatëve për këtë pozitë, Anëtarja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Radojka Trifonoviç nuk mori pjesë.

Gjykata Themelore në Prishtinë, deri në dhjetor të vitit 2020, është udhëhequr nga gjyqtarja Afërdita Bytyçi.

Albert Zogaj është zgjedhur Kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës në mbledhjen që është mbajtur nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Zogaj këtë pozitë do ta ushtrojë me një mandat prej tre vitesh. Ai është gjyqtar në Gjykatën Supreme, Dega Civile.

Gjyqtari Zogaj është diplomuar në vitin 2004, në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, ndërsa studimet post-diplomike i ka përfunduar në vitin 2008, në Drejtimin Juridiko-Civil.

Për një vit (2004-2005), ka punuar si avokat-praktikat në Odën e Avokatëve të Kosovës. Në vitin 2006 ka përfunduar provimin e jurisprudencës, ndërsa nga viti 2006 deri më 2010, ai punoi si avokat në qytetin e Pejës.

Në fund të vitit 2010 është emëruar gjyqtar në Gjykatën Komunale në Prishtinë, ku ka punuar për dy vite.

Nga viti 2013 deri më 2015, punoi si gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë në Departamentin e Përgjithshëm. Në vitit 2015 është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Apelit, në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Civil. Në shtator të vitit 2020, Zogaj është zgjedhur gjyqtar në Gjykatë Supreme.

Po ashtu, anëtarët e KGjK-së, me votim të fshehtë, zgjodhën gjyqtarin Ilmi Bajrami, në pozitën e gjyqtarit mbikëqyrës të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, me mandat dyvjeçar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore