Lajme

Kosovë: Gjendja në Deçan, drejt normalizimit


Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj

Pas shpalljes së gjendjes emergjente në Komunën e Deçanit, ku rreth 1 mijë e 500 qytetarë u helmuan, kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj, ka njoftuar se situata e krijuar në këtë komunë po shkon drejt normalizimit.

Ramosaj ka zhvilluar një takim me Shtabin Emergjent për Menaxhimin e Emergjencave, ndërsa ka thënë se “vlerësohet se situata e krijuar ditëve të fundit në komunën tonë po shkon drejtë normalizimit”.

“Në këtë takim u nxorr një konkluzion i përbashkët që në bazë të raportit të QKMF-së në 24 orëshin e fundit, së shpejti do të përfundoj gjendja emergjente dhe së qytetarët e 12 fshatrave të cilat furnizohen nga rezervuari në Drenoc, do të vazhdojnë̈ të furnizohen me ujë nga Komuna e Deçanit”, ka thënë Ramosaj.

Sipas tij, të gjitha institucionet e kyçura në situatën e Deçanit, do të vazhdojnë t’i implementojnë rekomandimet e IKShKP-së.

“Akterët e kyçur në menaxhimin e kësaj emergjence do të vazhdojnë̈ në implementimin e të gjitha rekomandimeve të dhëna nga IKSHPK-ja, të cilat kanë të bëjnë̈ me standardizimin e infrastrukturës së ujësjellësit dhe furnizimin me ujë cilësor sipas parametrave të pranueshme”, ka shkruar ai në rrjetin social Facebook.

Kurse, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), në një komunikatë për media, kishte bërë të ditur se janë gjetur edhe disa lloje të baktereve në mostrat e testuara të pacientëve në Deçan, të cilët dyshohet se janë helmuar nga uji.

“Në dy mostrat e fecesit të dërguara për testim në laboratorët jashtë Kosovës, janë detektuar Norovirus GI/GII, Enteropathogenic E.Coli (EPEC) dhe Enterotoxigenic E.Coli (ETEC)”.

Ndërsa, një zyrtar i Agjencisë Kosovare të Pyjeve me seli në Deçan është arrestuar nga Policia e Kosovës. Ai dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Arrestimi i tij dyshohet se lidhet me rastin e helmimit të rreth 1 mijë e 500 qytetarëve në fshatrat e Komunës së Deçanit.

Ekipi i Albanian Post, gjatë vizitës në teren ka hasur në puseta të cilat kanë qenë të hapura.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore