Sport

Kosovare Asllani, përfaqësuesja e heshtur e emrit Kosovë


Ka 119 vjet që Real Madrid është krijuar si klub sportiv, kohë gjatë së cilës ka arritur që ta krijojë imazhin e klubit më të madh në historinë e futbollit në kategorinë e meshkujve si dhe një ndër klubet më të mëdha në basketbollin evropian.

Por, ka vetëm një vit që Real Madrid ka krijuar klubin e femrave në futboll, pjesë kryesore e të cilit klub është vajza më origjinë kosovare, Kosovare Asllani.

Ajo ka patur një karrierë shumë të pasur deri më tani, duke shënuar shumë gola e fituar shumë tituj në mbarë Evropën, në nivelin e klubeve dhe të kombëtareve, ku ajo përfaqëson Suedinë.

Pas Botërorit të vitit 2019, ku ajo udhëhoqi Suedinë e femrave drejt medaljes së bronztë dhe ishte një ndër tre futbollistet më të mira të kampionatit, Asllani merr oferta nga shumë klube të mëdha për t’u bërë pjesë e tyre.

Kosovarja i refuzoi të gjitha ofertat, për të ndjekur ëndrrën e saj, që ishte te luante një ditë për klubin e saj të preferuar, Real Madrid.

Në vitin 2019, Asllani u transferua te CD Tacon, që në vitin 2020 do të shndërrohej në klubin e femrave të Real Madrid. Ajo u bë transferimi i parë i klubit nga kryeqyteti spanjoll dhe shtylla kryesore e një projekti gjigant.

Në fakt, për krijimin e klubit të femrave të Real Madrid, Kosovarja ishte një prej iniciatorëve.

Duke qenë ekipi më i mirë i të gjitha kohërave për nga titujt e fituar, shumë nuk e kishin të qartë pse Real Madrid nuk kishte një ekip të femrave.

Dhe, përmes një postimi në Twitter, Kosovarja u shpreh se ishte absurde që klubi i preferuar i shumë futbollisteve, të mos ishte pjesë e futbollit të femrave.

Tre muaj më pas, Real Madrid do blinte të drejtat e CD Tacon dhe të krijonte klubin e tyre të femrave.

Tre javë pas aprovimit të kërkesës të Real Madrid për të blerë të drejtat e CD Tacon, u bë transferimi për klubin e femrave, pjesë e të cilit do të ishte Kosovare Asllani.

“Mund të luaja në ligën e kampionëve, mund të luftoja për tituj të ndryshëm, por kjo ishtë një mundësi unike që unë të jem shtylla kryesore e një projekti qysh nga themeli i saj, një projekt, që shumë shpejtë do jetë më i miri në botë.” tha Asllani pas prezantimit të saj si “galaktikja” e parë e klubit spanjoll.

Në vitin 1989, në Krisitianstad, erdhi në jetë Kosovare Asllani, që do rritej për t’u bërë një ndër futbollistet më të mira në botë.

Karrierën futbollistike, Kosovarja e nisi kur ishte 15 vjeçare. Në atë kohë, ishte futbolliste e klubit të vogël suedez, Vimmerby IF.

Ajo menjëherë la gjurmë duke impresiounar në vitet e para si futbolliste, duke shënuar 48 herë në 49 paraqitje për Vimmerby.

Ky klub, në vitin 2018 do e nderonte duke hapur qendrën stërvitore me emrin “Kosovare Asllani”, dhe duke i krijuar një statujë për të.

“Jam ekstremisht krenare që jam një ndër futbollistet e para që nderohem me statujë në Suedi. Së bashku mund të krijojmë barazi gjinore në futboll, së bashku mund të shkruajmë histori”.

Pas paraqitjeve mbresëlënëse për Vimmerby, Asllani filloi rrugëtimin në futbollin profesional, duke iu bashkuar ekipit të superligës suedeze, Linköpings FC në vitin 2007.

Sezoni i parë u shoqërua nga luhatje të shumta, por në të dytin Asllani ishte mahnitëse, duke qenë vendimtare që në 2009, Linköpings ta fitojë ligën e femrave të Suedisë për herë të parë në histori të klubit.

Chicago Red Stars në Amerikë, ishte aventura e rradhës për futbolliste nga Kosova, që mund të cilësohet edhe si më e pasuksesshmja për të.

Luajti vetëm 13 ndeshje duke shënuar 2 gola dhe menjëherë u rikthye tek Linköpings, ku kaloi edhe dy sezone tjera dhe mori pjesë në Ligën e Kampionëve për femra.

Më 2011, një klub i madh si Paris Saint-Germain kërkoi që ta ketë në shërbim të vetin Kosovare Asllanin.

Atje Asllani pati një periudhë relativisht të suksesshme dhe në tre vjet e gjysmë shënoi 39 gola në 55 paraqitje.

Lëvizjet e mëdha për Kosovaren nuk u ndalën. Pas periudhës te PSG, ajo arriti marëveshje me klubin gjigant anglez, Manchester City, të cilët arritën të siguronin shërbimet e saj në vitin 2016.

“Dua të ndërroj pozicion, nuk është interesante që gjithë karrierën time ta kaloj si numër 9 në fushë” tha Asllani në prezantimin e saj te City.

Kjo është arsyeja pse në aventurën e saj në Angli, Kosovarja shënoj vetëm 3 gola në 25 paraqitje, duke shpenzuar gjithë kohën e saj si sulmuese krahu, gjë kjo që e redukonte mundësinë e saj për të shënuar.

Ajo fitoj tre tituj në vetëm një sezon të City, duke qenë vendimtare që me asistimet dhe performancat e saj të mrekullueshme, klubi të dal triumfues në Premier Ligën angleze, FA cup dhe kupën kontinentale.

Linköpings bëri të pamundurën që të rikthej Kosovarën në Suedi dhe këtë ia arriti në verën 2017, duke paguar një shumë të majme që ta transferoj atë nga Manchester City.

Ky transferim qëlloi të jetë një pikë kthese në karrierën e Kosovares, e cila ndihmoj klubin suedez të fitoj ligën e dytë në histori të klubit, të dy titujt meritë e Kosovares, gjë kjo që ishte kruciale që Kosovarja të sigurojë vendin e saj në skuadrën e Suedisë për kupën e botës 2019.

Në vitin 2017, Kosovarja u zgjodh si figura më e shquar sportive Suedeze e vitit, duke u nderuar me çmimin “Diamantbollen”.

Ky çmim për shumë vite me radhë fitohej nga Zlatan Ibrahimoviq dhe për ta rrëzuar atë nga froni i këtij çmimi duhej një femër – Kosovare Asllani.

Ajo gjithmonë ka qenë një ndër zërat më të fortë që kërkonin barazi në futboll, edhe pas fitimit të këtij çmimi ajo u shpreh: “Ne meritojmë, dhe do të arrijmë barazinë në futboll”.

“Jam tejet krenare që jam nderuar me këtë çmim, i falënderoj të gjithë që më kanë përcjellur në rrugëtimin tim deri më tani, dhe shpresoj, që me punë, do ngjitem në këtë skenë si fituese prapë.”

Debutimin për ekipin kombëtar të Suedisë, Kosovarja e bëri në vitin 2009, ku edhe morri pjesë në Euro 2009.

Pasi që u la jashtë skuadrës në kupën e botës të vitit 2011, ajo u rikthye në olimpiadën e Londrës në vitin 2012, dhe ka qenë vitale në secilin eveniment madhor që nga atëherë.

Kosovarja ka shënuar 37 gola në 133 paraqitje për kombëtaren Suedeze.

Në kupën e botës, Kosovarja ishte një ndër lojtaret më të mira të evenimentit dhe pa dyshim më e mira e Suedisë, ajo udhëhoqi Suedinë drejt medaljes bronzë.

Luajti të gjitha shtatë ndeshjet e Botërorit 2019, duke shënuar tre gola dhe dhënë tre asiste në 603 minuta lojë. Ajo shënoi golin vendimtar në ndeshjen për vendin e tretë përballë Anglisë.

Pas Botërorit 2019, Kosovarja do të realizonte ëndrrën e saj të kamotshme që ishte të luante për Real Madrid.

Më 1 mars, 2012, Asllani postonte një foto në Tëitter në ambientet e Santiago Bernabeu, e veshur me fanellën e Real Madrid, me mbishkrimin: “A mund ta gjeni se çfarë bleva sot në Madrid? Fanellën e klubit më të madh ne botë.” duke shfaqur qartë preferncën e saj në futboll.

Për klubin e femrave të Real Madrid, Asllani ishte një transferim po aq i madh sa Cristiano Ronaldo në vitin 2009.

Edhe pse Cristiano ishte një ndër futbollistet e saj të prefuar, idol për Kosovare Asllanin ishte dikush tjetër, një lojtar që po ashtu luajti disa vite për Real Madrid.

“Kur isha e vogël, lojtari që e adhuroja ishte Ronaldo, ai braziliani, pa dyshim.” tha Asllani, pak muaj para transferimit te Real Madrid.

Duket se lojtari që mundohet ta imitojë ajo është Ronaldo Nazario, dhe deri tani ia ka arritur në mënyrë perfekte, duke qenë nje golashënuese perfekt, e qetë para portës, dhe një dribluese që e bënë lojën e futbollit shumë të bukur.

Edhe pse sezoni i parë nuk shkoj mirë, dhe Tacon mezi shpëtoi nga rrënja në kategorinë e dytë, në sezonin e dytë dhe të parin me emër Real Madrid, vajzat po tejkalojnë çdo pritshmëri, në krye me numrin 9, Kosovare Asllani.

Kishte probleme me lëndimin dhe luajti vetëm 15 ndeshje duke shënuar pesë gola në sezonin e parë, por Asllani ka shënuar 10 gola në 15 ndeshje këtë sezon deri më tani, duke qenë kruciale që Real Madrid të jetë në luftë për titull vetëm në sezonin e parë të saj në klub.

Madridi kishte mbretin e tij në dekadën e fundit, me Cristiano Ronaldo, por tashmë ka ardhur koha që në fron të ulet një mbretëreshë, dhe ajo është Kosovare Asllani.

Përfaqësuesja e heshtur e emrit Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore