Lajme

Kosova u drejtohet perëndimorëve me një letër: Serbia po nxitë dhunë – këta janë dy skenarët e mundshëm


Qeveria e Kosoves

Qeveria e Kosovës u ka dërguar të gjitha qeverive të shteteve perëndimore një dokument ku shprehet shqetësimi i Serbisë “për të nxitur dhunë” në Kosovë.

Në dokumentin që përmbledh të gjitha veprimet agresive të fundit nga qeveria e Serbisë thuhet se “Republika e Kosovës është thellësisht e shqetësuar me tentimet e fundit të Serbisë për të nxitur dhunë në Kosovë” dhe se këto veprime “janë kërcenim serioz për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë”.

Këto tentime, thuhet në letrën e dërguar qeverive perëndimore, po bëhen pasi Serbia veçse ka destabilizuar dhe ka krijuar tensione edhe në Bosnje dhe Hercegovinë, përmes Republikës Serbe, dhe në Mal të Zi përmes Kishës Ortodokse Serbe dhe partive pro ruse që i ka nën kontroll.

“Për arsyen që asnjëherë nuk ka pasur pasoja, Serbia po kërcënon me akte dhune që gjithashtu ta destabilizojë Kosovën”, shënon letra.

Në këtë adresim shprehet shqetësim gjithashtu që Seria shfrytëzon faktin se ndërkombëtarët vazhdojnë me togfjalëshin “dy palët”, duke barazuar në njëfarë forme veprimet e Serbisë me ato të aktorëve të tjerë.

“Intensiteti dhe frekuenca e veprimeve të fundi në terren kanë alarmuar thellësisht autoritet në Kosovë, të shqetësuar me agresionin e hapur të Serbisë ndaj Kosovës”.

“Në skenarin më të mirë, Seria qëllimisht po provon destabilizimin e Kosovës për të parandaluar progresin në dialog, sidomos në kontekstin e propozimit të ri të BE-së, mbështetur nga Franca dhe Gjermania, për normalizim raportesh”, thotë letra.

“Derisa në skenarin më të keq, po provon eskalimin dhe instrumentalizimin e grupeve kriminale që kujtojnë mënyrën e veprimit të Serbisë që çoi në fillimin e luftërave në vitet 90-ta”.

“Në dritën e kësaj situate, Republika e Kosovës do të dëshironte të theksonte disa prej fakteve nga terreni, që u zhvilluan në më pak se tri javë”.

Më pas në dokument janë prezantuar veprimet ose të ndërmarra direkt, ose të influencuara nga kjo politikë e Serbisë.

Qeveria e Kosovës ka renditur zhvillimet nga koha kur shtyu vendimin për targa si nevojë për kompromis, te dalja nga institucionet e serbëve të Kosovës, vendosja e barrikadave, kërkesa e Serbisë për të kthyer trupat në Kosovë, bombat e hedhura në veri, sulmet ndaj policëve, sulmet ndaj gazetarëve e deri te vendosja e një pjese të ushtrisë serbe në vijën kufitare me Kosovën.

Image
Letra e Qeverise se Kosoves
Image
Letra e Qeverise se Kosoves

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore