Sport

Kosova U-17 nuk ia del përballë Turqisë U-18


Kombëtarja e Kosovës U-17 ka zhvilluar ndeshjen e parë miqësore këtë të mërkurë me Kombëtaren e Turqisë U-18. “Dardanët” pësuan humbje pavarësisht paraqitjes së mirë që patën, me rezultat 1:0.

Të përzgjedhurit e Arsim Abazit nuk arritën të konkretizojnë rastet që kishin, veçmas në pjesën e dytë kur u liruan nga presioni dhe shfaqën lojë dukshëm më të mirë.

Megjithatë, mysafirët të cilët ishin një gjeneratë më e madhe, në periudhën kur Dardanët bënin përpjekje për të gjetur rrugën e golit, arritën të zhbllokojnë shifrat pas një korneri të shkurtër në minutën e 80-të, kur realizoi Yasar Kavas.

Pavarësisht këtij rezultati përzgjedhësi Arsim Abazi u shpreh i kënaqur me performancën e futbollistëve në fushë, ndërsa pohoi se këto ndeshje miqësore i ndihmojnë ekipit të tij për t’u përgatitur sa më të mirë për Elite Round në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2022.

Të premten Kosova U-17 dhe Turqia U-18 do të përballen sërish, në kompleksin e FFK-së në Hajvali.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore