Lajme

Kosova përkujton Masakrën e Reçakut në 23 vjetorin e saj


Memoriali i Masakrës së Reçakut

Kosova përkujton sot më 15 janar masakrën e Reçakut, ku 23 vite më parë forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe vranë 45 banorë të fshatit.

Kryeministria ka njoftuar se krerët shtetërorë do të vizitojnë Kompleksin Memorial të Reçakut në përkujtim të 23-vjetorit të Masakrës së Reçakut.

Siç ka bërë të ditur kryeministria, kryeministri Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca së bashku me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier do realizojnë homazhet në Reçak.

Me 15 janar të vitit 1999, forcat serbe në fshatin Reçak kishin ndarë meshkujt nga familjet e tyre dhe më pas ata u gjetën të ekzekutuar në afërsi të fshatit në një mal.

Shefi i atëhershëm i Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ambasadori amerikan William Walker, vrasja e 45 civilëve të Reçakut u cilësua si krim kundër njerëzimit.

Masakra e Reçakut shënoi edhe kthesën e luftës së Kosovës, sepse vendet perëndimore, pas përpjekjeve të dështuara diplomatike për gjetjen e një marrëveshje me Serbinë, me 24 mars filloi bombardimet ndaj saj përmes forcave veri-atlantike të NATO-s.

Kjo fushatë e detyroi Serbinë të tërheqë trupat nga Kosova, ku me 10 qershor 1999 filloi vendosja e trupave të NATO-s dhe administratës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK).

Në vazhdimësi autoritetet serbe kanë mohuar masakrën e Reçakut.

Në vitin 2020, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një deklaratë e kishte cilësuar këtë masakër si një ngjarje “të fabrikuar nga një mashtrues, siç është William Walker, për të arsyetuar fushatën e bombardimeve të NATO-s”.

Ndërsa Gjykata Themelore e Prishtinë e ka shpallur fajtor ish-ministrin e Administratës të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviç, duke e dënuar me dy vjet burg, për një deklaratë që e kishte bërë në vitin 2018, kur masakrën e Reçakut e quajti “trillim”.

Edhe ë vitin 2021, retorika e Beogradit nuk ka ndryshuar në raport me Kosovën dhe masakrën e Reçakut, ku ajo gjuhë është përsëritur në vazhdimësi nga ana e zyrtarëve serb.

William Walker kishte deklaruar pas asaj çfarë kishte thëne presidenti serb, Vuçiç për të duke shtuar se “Kur njerëzit më pyesin për reagimin tim lidhur me deklaratat e presidentit Vuçiç që më thërret gënjeshtar, duke thënë se Reçaku nuk ka ndodhur, reagimi im është që po dëgjoj edhe njëherë fjalët e Sllobodan Millosheviqit”.

Kursse Departamenti amerikan i Shtetit, në përgjigje të deklaratave të ministrit serb, Aleksandar Vulin, ka thënë se “mizoritë që kanë ndodhur në Reçak në janar të vitit 1999, përfshirë masakrën e civilëve, janë të dokumentuara mirë”.

“Mohimi i këtyre fakteve themelore dhe madhërimi i krimeve të luftës sjellin dhimbje për të mbijetuarit, çnderojnë viktimat dhe mbajnë gjallë ndarjet që vazhdojnë të pengojnë pajtimin e qëndrueshëm, paqen dhe prosperitetin për Ballkanin Perëndimor”, thuhet në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit dhënë për REL.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore