Lajme

Kosova në Këshill të Evropës, Vukiçeviç: Precedent që edhe territore të tjera ta kontestuara të kërkojnë anëtarësimin


Maja Vukiçeviç

Maja Vukiçeviç, deputete nga radhët e Partisë Demokratike Popullore (PDP) në pushtet në Mal të Zi, gjithashtu kryetare e delegacionit malazez në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), përsëriti se do të votojë kundër Kosovës, duke pretenduar se pas anëtarësimit në organizatë, do t’u hapet rruga edhe “territoreve të tjera” që të kërkojnë anëtarësim.

“Kosova nuk njihet si shtet nga gjysma e anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB); shtetësia e Kosovës nuk është njohur nga pesë vende të Bashkimit Evropian (BE), kështu që do të ishte vërtet një precedent serioz nëse do të bëhet pranimi i Kosovës”, deklaroi deputetja malazeze e PDP-së që funksionon nën orbitën ruse dhe serbe.

Megjithatë, bashkësia e organizuar perëndimore nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) vazhdimisht përsërit se njohja e Kosovës përbën një rast sui generis lidhur me normën e tërësisë territoriale dhe nuk mund të shihet si një precedent për ndonjë situatë tjetër në botën e sotme.

Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci do të shqyrtojë të mërkurën (sot, 27 mars) raportin për anëtarësimin e Kosovës. Kosova aplikoi për anëtarësim në KiE në maj të vitit 2022, por mos zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit ishte bërë pengesë që vendi i vogël ballkanik të vazhdojë rrugëtimin drejt anëtarësimit në organizatë.

Ndryshe, pas miratimit të raportit, do të duhen 2/3 e votave në APKE, ku marrin pjesë deputetët nga parlamentet e shteteve anëtare, për t’i rekomanduar Këshillit të Ministrave që ta ftojë Kosovën të bëhet anëtarja më e re. Kjo, nëse gjithçka shkon sipas planit të autoriteteve kosovare, pritet të ndodhë gjatë samitit që pritet të mbahet në mes të muajit maj në Islandë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore