Lajme

Kosova me rezolutë për ta dënuar gjenocidin në Srebrenicë


Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje

Kuvendi i Kosovës, të mërkurën do të mbajë seancë plenare, në të cilën do të propozohet rezoluta për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë.

Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje, ka thënë për Albanian Post se gjenocidi në Srebrenicë, ka një histori të ngjashme pothuajse me atë Kosovës.

“Në fakt, unë mendoj se Kosova ka përjetuar, historinë e njëjtë si Bosnja, do të thotë praktikisht një agresor i njëjtë. Prandaj, mendoj se kosovarët më lehtë mund t’i kuptojnë boshnjakët, krahasuar me secilin popull në regjion”, tha Balje.

Ajo thekson se qëllimi i kësaj rezolute është që Kosova të rreshtohet përkrah Srebrenicës.

“Poenta e rezolutës është veç Kosova të jetë përkrah Srebrenicës, do të thotë të konfirmohet që ka ndodhur gjenocid në Srebrenicë”.

Rezoluta e miratuar nga Parlamenti do të ishte “një shenjë që ne e kuptojmë çka ka ndodhur dhe një shenjë prej anës të Kosovës se është respektuar secila viktimë e gjenocidit në Srebrenicë”.

Balje shprehet se kjo do të jetë pika parlamentare e parë, gjatë seancës që do të mbahet në Kuvend.

“Zotëri Glauk Konjufca ka krijuar një ekip prej deputeteve brenda kuvendit, në të cilin ne kemi punuar praktikisht gati një javë që ta bëjmë draftin e rezolutës”.

Një rezolutë të përafërt që Balje pret ta votojnë deputetëtë kosovarë, javë më herët e ka votuar edhe Mali i Zi.

Balje është e bindur që rezoluta do të votohet, meqë në komisionin parlamentar që është marrë me draftimin e rezoltuës, ka pasur anëtarë nga të gjitha partitë politike.

Në këtë muaj bëhen 26 vjet që kur forcat serbe të Bosnjës, të udhëhequra nga Ratko Mlladiç, kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë në një zonë të mbrojtur nga paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara, në dhe përreth Srebrenicës.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka konstatuar në vitin 2007 se vrasjet në Srebrenicë kanë përbërë gjenocid.

Pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, në shkurt të vitit 2007, me të cilin është konfirmuar se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid, Gjykata Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi ka dënuar 14 ish-anëtarë të ushtrisë dhe policisë së Republikës Serpska për gjenocid ndaj më shumë se 8,000 civilëve boshnjakë, në zonën e mbrojtur në dhe rreth Srebrenicës, në korrik të vitit 1995.

Dënimet më të mëdha – burgim i përjetshëm – janë caktuar për Radovan Karaxhiçin dhe Ratko Mlladiçin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore