Film

Kosova me premierë filmi në festivalin prestigjioz të – “Cannes”


Sukseset kinematografike për Kosovën po vazhdojnë të arrihen duke lënë gjurmë edhe në sferën ndërkombëtare.

Një i tillë pritet të ndodh së shpejti, teksa Kosova për herë të parë pritet të shfaq premierën e një filmi të metrazhit të gjatë në festivalin prestigjioz të Francës – “Cannes”.

Bëhet fjalë për filmin “Luaneshat e Kodrës”, me regji të Luana Bajramit dhe i cili është bashkëprodhim mes Kosovës dhe Francës me producentë, Valbona Rrahmanin si dhe bashkë producent, Pascal Judelewicz.

Filmi trajton historinë e tri vajzave të reja, ëndrrat dhe ambiciet e të cilave mbyten në një fshat të vogël diku në Kosovë.

Por, kërkimi i tyre për pavarësi është thjeshtë i pandalshëm dhe koha që luaneshat të ulërojnë, ka ardhur.

Në rolet kryesore të filmit luajnë aktorët shqiptarë, Flaka Latifi, Uratë Shabani, Era Balaj, Andi Bajgora si dhe Luana Bajrami.

Filmi do të jepet si premierë në festivalin e famshëm të “Cannes”, në kuadër të programit “Director’s Fortnight”.

Ky prodhim kinematografik ka gjetur mbështetje nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe është prodhim i kompanisë “OrëZanë Films” nga Kosova, si dhe “Vents Contraires” e “Acajou Productions” nga Franca.

Lidhur me këtë film ka reaguar edhe regjisorja dhe aktorja në rol kryesor, Luana Bajrami, e cila është shprehur e lumtur për premierën e tij në festivalin e madh.

“Unë jam rritur me kombësi të dyfishtë franceze-kosovare, kështu që është një nder për mua ta sjell këtë film kosovar në Festivalin e Kanës në Francë”.

“Jam shumë e gëzuar për njohjen dhe entuziazmin që veç i është dhënë filmit. Sidomos pasi që është filmi im i parë me metrazh të gjatë që merret me tema që janë shumë të rëndësishme për mua: rinia dhe dëshira e rinisë për liri.” u shpreh Luana, regjisorja e filmit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore