Përballje

Kosova luan ndaj Guinesë me fillim nga ora 16:00, Challandes: Nuk ishte aspak lehtë të ndërtojmë një ekip


Kombëtarja e Kosovës në futboll, këtë të martë do të zhvillojë një tjetër ndeshje miqësore ndaj Guinesë.

Ndeshja do të luhet në stadiumin “Arslan Zeki Demirci Spor Kompleksi” të Antalya-s në Turqi, me fillim nga ora 16:00.

Në këtë ndeshje Dardanët do të paraqiten me futbollistë që shihen si potencial për ekipin në ardhmen.

Gjatë stërvitjes së djeshme, përzgjedhësi Challandes është përqendruar kryesisht në aspektin tekniko-taktik, duke u shpjeguar futbollistëve elemente dhe skema të ndryshme të lojës.

Pas stërvitjes, Bernard Challandes përmes një deklarate, i vlerësoi shumë këto dy miqësore kundër dy kombëtareve afrikane, duke theksuar se do të shërbejnë për të provuar futbollistë të rinj në kombëtare.

“Do të luajmë kundër dy ekipeve të forta nga Afrika. Guinea është në ‘Top 20’ në Afrikë dhe ka luajtur ndeshje të mirë me Turqinë. Kundërshtar i fortë, fizikisht, teknikisht e taktikisht. Për lojtarët tanë të rinj është një përvojë e vështirë, por ne mund të mësojmë nga situatat e tilla”, tha Challandes.

Ai gjithashtu shtoi se nuk e kishte të lehtë për të kompletuar grumbullimin në këto dy ndeshje miqësore.

“Nuk ishte aspak lehtë të gjenim lojtarët për këto ndeshje në këtë kohë. Disa lojtarë gjenden në pushim, disa e kanë përfunduar kampionatin para tri javësh. Kemi lojtarë me U21, kurse disa të tjerë që po përgatiten me ekipet e tyre për kupat evropiane. Nuk ishte aspak lehtë të ndërtojmë një ekip”, tha trajneri Challandes.

Kujtojmë që Guinea pozicionohet në vendin e 72-të në radhitjen botërore të FIFA-s, derisa Kosova gjendet në vendin e 120-të.

Kosova, pas ndeshjes me Guinenë, do të zhvillojë edhe një tjetër miqësore kundër Gambisë më datën 11 qershor.

Derisa, Dardanët para këtyre ndeshjeve, kanë mposhtur San Marinon me rezultat 4:1, si dhe Maltën me rezultat 2:1.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore