Lajme

Kosova i detyrohet dëmshpërblim 20 milionë euro “Contour Globalit”, pas humbjes së rastit


Foto nga arkivi.

Qeveria e Kosovës, e ka humbur arbitrazhin ndërkombëtar me kompaninë amerikane “Contur Global”, për mosrespektim të kontratës me këtë rast shteti detyrohet t’ia paguajë kompanisë amerikane mbi 20 milionë euro.

Përmes një përgjigje për Albanian Post nga ministria e Drejtësisë, kanë deklaruar  Avokatura Shtetërore dhe përfaqësuesi ligjor i kontraktuar e kanë analizuar vendimin final të arbitrazhit dhe do të ankohen ndaj tij në gjykatën civile në Mbretërinë e Bashkuar.

“Avokatura Shtetërore e ka pranuar vendimin final të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, (ICC). Vendimi i Arbitrazhit e obligon Republikën e Kosovës që t`ia paguaj Countur Global-it shumën prej 20,053,125.63 euro”, thuhet në përgjigjen e ministrisë për Albanian Post.

Nga ministria është thënë se ky vendim do të sfidohet në Gjykatën Civile në Mbretërinë e Bashkuar.

“Avokatura Shtetërore dhe përfaqësuesi ligjor i kontraktuar e kanë analizuar vendimin final të arbitrazhit dhe i njëjti do të sfidohet në gjykatën civile në Mbretërinë e Bashkuar”.

Këtë marrëveshje me “Contur Global”, Qeveria e Kosovës e kishte nënshkruar në vitin 2017 për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” me kapacitet 500 megavat, i cili do të kushtonte 1.3 miliard euro.

Ky konsiderohej të ishte investimi më i madh i huaj në Kosovë.

Termocentrali “Kosova e Re” ishte paraparë të fillohet të ndërtohej në vitin 2020, ndërsa të vihet në punë në vitin 2023.

Jetëgjatësia e tij ishte llogaritur të ishte 40 vjet.

Ministria e Drejtësisë.

Çfarë marrëveshje kishte Kosova me “Contour Globalin”?

Në mars të vitit 2020, kompania Contour Global kishte njoftuar tërheqjen nga planet për ndërtimin e termocentralit, me arsyen se kompania nuk e ka ndër mend të ndërtojë projekte me thëngjill në të ardhmen, por, po ashtu, edhe për arsyeje të ndryshimeve politike që kishin ndodhur në Kosovë.

Asokohe pushtetin në Kosovë e kishte koalicioni qeveritar mes Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Lëvizja Vetëvendosje ishte shprehur kundër marrëveshjes me ContourGlobal, duke thënë se “një projekt i tillë nuk do të mund të realizohej sepse kompania në fjalë mund ta rriste çmimin e faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike”.

Ndërsa, Lidhja Demokratike të Kosovës ishte shprehur se “do të ndërtonte kapacitete të reja energjetike”, por që “do të refuzonte secilën alternativë investuese që shtrenjton çmimin përfundimtar të energjisë elektrike prej 100 për qind”.

Kosova ka më shumë se 10 miliardë tonë linjit dhe si i tillë është vendi i pestë në botë për nga sasia e këtij resursi.

Me gjithë pasurinë e linjitit, Kosova vazhdon të përballet me mungesë të energjisë elektrike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore