Lajme

Kosova është “projekt i përkohshëm” për shkak të kërcënimit të Serbisë, thotë Aliu


Liburn Aliu

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPH), Liburn Aliu, në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës (RTK), ka ripërsëritur deklaratën skandaloze se Kosova është “projekt i përkohshëm”, por në një formë pak më të butë. Ai ka konsideruar se është pro ‘bashkimit kombëtar’ vetëm për faktin se Kosova vazhdon të jetë e kërcënuar nga Serbia.

“Kosova është nën kërcënim të vazhdueshëm nga Serbia dhe nëse s’do ekzistonte ky rrezik, s’do ta shihja Kosovën si projekt të përkohshëm”, ka thënë ministri Aliu, derisa ka shtuar se bashkimi i shqiptarëve në një shtet do të krijonte stabilitet. Madje, ai ka vlerësuar se Kosova, sa i përket sigurisë, nuk mund të bazohet në prezencën e Forcës së NATO-s (KFOR).

“Kur flasim për zgjidhje afatgjate dhe të qëndrueshme, ne sot nuk mund të bazohemi në prezencën e KFOR-it, sepse nuk dihet si do të shkojnë punët, dhe me rrezikun nga Serbia, zgjidhja më e mirë dhe më e sigurtë për të arritur stabilitetin është bashkimi”, ka deklaruar ndër të tjera ministri Aliu.

Deklarata e ministrit Aliu kishte shkaktuar shumë reagime në mesin e opinionit publik në Kosovë, përfshirë liderët e partive politike në vend. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, si individ e Lëvizja Vetëvendosje (LVV) si kolektiv, gjatë kohës së gjatë të qëndrimit në opozitë e kishin ndërtuar identitetin e tyre politik mbi kauzën nacionaliste të “bashkimit kombëtar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore