Përballje

Kosova e gatshme për San Marinon, Dardanët pritet të fitojnë miqësoren


Kombëtarja e Kosovës në futboll, këtë të martë do të zhvillojë një ndeshje miqësore ndaj kombëtares së vogël të San Marinos.

Ndeshja do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë me fillim nga ora 18:00.

Dardanët në këtë përballje janë favoritë dhe ndaj San Marinos do të kërkojnë vetëm opsionin fitore, ndërsa kundërshtarët shpresojnë të shënojnë gol ndaj Kosovës, i cili iu mungon që nga nëntori i vitit 2019 në humbjen 1:3 ndaj Kazakistanit.

Miqësorja ndaj këtij kundërshtari modest, do të jetë një mundësi e mirë për trajnerin Challandes që të provojë edhe lojtarë të rinj.

San Marino në renditjen botërore të FIFIA-s pozicionohet e fundit në vendin e 210-të, derisa Kosova pozicionohet në vendin e 120-të.

Ndërsa, kujtojmë që San Marino fitoren e fundit e ka arritur para 17 vjetësh, në një ndeshje miqësore kundër Liechtenstein-it.

Pas kësaj ndeshje, dardanët do të udhëtojnë në Klagenfurt të Austrisë, për të zhvilluar një tjetër miqësore ndaj Maltës.

Pas këtyre dy ndeshjeve, Kosova do të udhëtojë në Antalya për të zhvilluar edhe dy takime tjera miqësore ndaj Guinesë dhe Gambisë, por në këto dy takime, Dardanët do të përbëhen kryesisht me futbollistë të Superligës së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore