Lajme

Kosova e 13-ta në Evropë sa i përket rasteve të reja me virusin COVID-19


Ilustrim

Kosova, zë vendin e 13-të në Evropë sa i përket rasteve të reja pozitive me virusin COVID-19 për 100 mijë banorë për shtatë ditë të fundit.

Bazuar në statistikat e Statista.com, mesatarja e Kosovës gjatë periudhës një javore është 201.3 raste të reja me virusin COVID-19 për 100 mijë banorë.

Përditësimin e fundit, Statista.com e ka bërë me 13 gusht të këtij viti, ku vendin e parë për raste të reja për 100 mijë banorë e zë Gjeorgjia, me mesatare prej 799.1 raste, ndërsa vendi i dyte dhe i tretë i përket Qipros me 390.1 raste në mesatare dhe Mali i Zi me 341.1 raste të reja për mesatare.

Prapa Kosovës në listë janë vendet e rajonit si Maqedonia e Veriut me mestare 143.6 raste të reja pozitive, më pas Serbia me 72.6 raste, Sllovenia me 52.7 raste, Shqipëria me 46.3 raste e Kroacia me 38.2 raste.

Tabela e Statista.com ku shihet numri i rasteve të reja me COVID-19 në shtatë ditët e fundit në Evropë

Shifrat me raste pozitive ku sipas Institutit Kombëtarë të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK),  dominuese është varianti Delta i koronavirusit, kanë filluar të rriten dukshëm gjatë dhjetë ditëve të fundit.

Vetëm gjatë ditës së shtune, në Kosovë nga 9 mijë 169 testime kanë rezultuar pozitive me virusin COVID-19, 1 mijë 370 qytetarë.

Ndërsa që nga qershori i këtij viti ku me ç ‘rast ka nisur vaksinimi masiv në Kosovë janë administruar 559 mijë e 7 doza të vaksinave anti COVID-19.

Në anën tjetër 202 mijë e 647 qytetarë janë vaksinuar me dy doza.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore