Lajme

Nënshkruhet marrëveshja për bashkëfinancim të projektit të rrugës Tetovë-Prizren


Pamje nga nënshkrimi i marrëveshjes.

Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë nënshkruar këtë të premte marrëveshjen për bashkëfinancimin e projektit për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren.

Nga Kosova, dokumentin e nënshkroi Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ndërsa nga Maqedonia e Veriut zëvendësministri shqiptar i Transportit dhe Lidhjes në qeverinë maqedonase, Bekim Rexhepi, por prezent ishte edhe ministri maqedonas, Blagoj Bochvarski.

Ministri Aliu në fjalën e tij tha se kjo rrugë ka rëndësi edhe rajonale, duke shtuar se nuk po bëhet vetëm që të lidhë Prizrenin me Tetovën.

“Është një rrugë jashtëzakonisht e rëndësishme që s’e lidh vetëm Prizrenin me Tetovë, por edhe me autostradën ‘Ibrahim Rugova’ që e lidh Prishtinën me Durrësin e Tiranën, rrjedhimisht krijon mundësi të kyçjeve nëpër korridore dhe më gjerë në nivel të rajonit”, theksoi Aliu.

Nga ana tjetër, Rexhepi theksoi se kësaj marrëveshje i kanë paraprirë disa takime të grupeve punuese të të dyja shteteve dhe, siç pohoi ai, kanë gjetur një zgjidhje optimale se kah duhet që të kalojë rruga në fjalë.

“Kisha nderin që së bashku me Ministrin Aliu të nënshkruaj marrëveshjen për bashkëfinancimin, kompletimin dhe ndërtimin e tunelit në drejtimin e aksit rrugor Tetovë-Prizren. Kësaj marrëveshje ndërshtetërore i kanë paraprirë një sërë takimesh të grupeve të punës nga të dyja vendet, të cilat i falënderoj sepse gjetën zgjidhjen më optimale për këtë projekt”, tha fillimisht ai.

Rexhepi shtoi se në bazë të studimit të fizibilitetit nga ana e Maqedonisë “janë ofruar opsione të ndryshme për zgjedhjen e trasesë së rrugës Tetovë-Prizren dhe e pranueshme për të dyja vendet ishte traseja në ndërtimin e tunelit 6.4 km të gjatë”.

“Traseja e rrugës së re fillon në Tetovë përmes Kodrës së Diellit, Brodecit dhe përfundon në vendbanimin Veshallë nga pjesa e Maqedonisë së Veriut”, shtoi ai, transmeton “EkonomiaOnline”.

Rruga Prizren-Tetovë, pohoi ai, është në të mirë të turizmit të Maqedonisë së Veriut.

Ndryshe, më 10 janar Qeveria e Kosovës, që drejtohet nga Albin Kurti, kishte kërkuar autorizim nga presidentja Vjosa Osmani, për ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren.

“Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për të kërkuar nga Presidentja dhënien e autorizimit Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për nënshkrimin e Marrëveshjes së bashkëfinancimit për hartimin e Projektit për Ndërtimin e Tunelit në rrugën Tetovë-Prizren ndërmjet Qeverisë së Kosovës, e përfaqësuar nga MMPHI dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, e përfaqësuar nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve”, thuhej në njoftimin.

Për këtë projekt, bëhet me dije se qeveria ka siguruar buxhetin përmes ligjit në fuqi për ndarjet buxhetore për vitin 2024.

Për aksin rrugor Prizren-Tetovë ekziston një marrëveshje midis dy qeverive e nënshkruar fillimisht nga ish-kryeministri maqedonas, Zoran Zaev dhe më vonë e vazhduar nga kryeministri aktual Dimitar Kovaçevski.

Për këtë çështje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë muajit gusht e vizitoi komunën e Tetovës.

Aktualisht prej Tetovës në Prizren, rruga është 109 kilometra, ndërkaq me rrugën e re parashikohet të shkurtohet për 69 kilometra, gjegjësisht kjo rrugë do të jetë e gjatë 40.6 kilometra.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore