Shqipëria

Kontrolle në qendra tregtare dhe hotele për standardet e sigurisë ndaj zjarrit, thotë Balla


Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka thënë se i ka kërkuar Shërbimit të Mbrojtjes kundër zjarrit dhe shpëtimit që bashkëpunim me IKMT të zhvillojnë kontrolle pranë qendrave tregtare dhe hoteleve për verifikimin të gjitha standardeve dhe gatishmërisë ndaj zjarrit.

“Mbi bazën e mësimeve të nxjerra nga ngjarjet e fundit, Tiranë, Fier, Lushnjë, na duhet që të gjitha palët e përfshira, përfshirë dhe pushtetin vendor, të punojnë për unifikimin e inspektimit të mbrojtjes kundër zjarrit dhe shpëtimit, me qëllim që të rrisim dhe garantojmë sigurinë publike në shkallë vendi”, ka thënë ai.

Balla ka vijuar duke thënë se “i kam kërkuar Inspektoriat Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) të bashkëveprojë me pushtetin lokal për të verifikuar respektimin e të gjitha standardeve  dhe gatishmërinë e bizneseve, me fokus të veçantë tek qendrat tregtare, nëse ato i kanë të gjitha standardet për mbrojtjen kundër zjarrit. Po ashtu, duke qenë se po vjen sezoni turistik, ne s’duhet të kontrollojmë hotelet në korrik e gusht, nëse i përmbushin kriteret e përcaktuara me ligj në shërbimin e mbrojtjes kundër zjarrit, por duhet ta bëjmë këtë verifikim tani. Prandaj kemi nisur prej datës 3 janar dhe shumë shpejt do të kemi një raport për gjendjen e secilit prej këtyre njësive pritëse”.

Po ashtu Balla ka thënë se ka ardhur koha që të investohet në burimet e duhura njerëzore, sa i përket shërbimit zjarrfikës për shkak të tipareve të veçanta që ka ky shërbim për sigurinë në vend.

Sipas tij, duhet ndryshuar mënyra e përzgjedhjes të punonjësve të shërbimit zjarrfikës dhe shpëtimit.

“Kam besimin se kryetarët e bashkive e kuptojnë që vendi i punës së punonjësit të zjarrfikësit nuk është një vend për të bërë qokë”, ka thënë ai.

Duke folur rreth procesit të vlerësimit dhe certifikimit të punonjësve të shërbimit zjarrfikës, Balla ka thënë se “do të vazhdojmë të plotësojmë strukturat operacionale, me një proces ku kemi përfshirë dhe Akademinë e Sigurisë, në trajnimin, por dhe certifikimin e të gjitha niveleve në shërbimin zjarrfikës, ku marrja e gradës nuk mund të jetë më një vlerësim fiktiv, por duhet të jetë një vlerësim objektiv i performancës dhe natyrshëm i eksperiencës së fituar në këtë shërbim”.

Deklaratat, ministri i bëri gjatë ceremonisë së dorëzimit të disa mjeteve zjarrfikëse, dhuruar nga Qeveria Polake, për 3 bashkitë Lezhë, Fier e Pogradec.

Në kuadër të programit “Forcimi i kapaciteteve të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit të Shqipërisë”, të financuar nga Qeveria e Polonisë, zbatuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), në bashkëpunim me DPMZSh në Ministrinë e Brendshme, përfituan 10 bashki në të gjithë vendin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore