Shqipëria

Kontrabandë barnash nga tre shtete, arrestohen 16 persona


Autoritetet shqiptare kanë vënë në pranga 16 shtetas të cilët tregtonin dhe magazinonin medikamente mjekësore, të dyshuara të kontrabanduara nga tre shtete, mes tyre edhe Kosova.

Operacioni i koduar “Rrugëtimi” u organizua nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit.

Strukturat policore, në kuadër të këtij operacioni janë angazhuar gjithashtu për kapjen e dy shtetasve të tjerë, bazuar në informacionet e inteligjencës policore.

Autoritetet kanë sekuestruar medikamentet e ndryshme mjekësore, të dyshuara të kontrabanduara, me vlerë rreth 50 mijë euro, njofton Policia e Shtetit.

Si rezultat i tij u ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit: D. B., 39 vjeç, G. B., 45 vjeç, E. B., 35 vjeç, D. Th., 40 vjeç, E. M., 42 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.

Gjithashtu u ndaluan shtetasit L. B., 41 vjeç, banues në Fier, F. M., 36 vjeç, banues në Berat, A. H., 51 vjeç, E. Q., 44 vjeç, A. D., 45 vjeç, S. D., 31 vjeç, A. H., 45 vjeç, G. H., 64 vjeç, A. S., 56 vjeç, T. M., 30 vjeç, A. B., 38 vjeç, banues në Tiranë.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, tregtonin medikamente të ndryshme mjekësore të kontrabanduara, nga Greqia, Italia dhe Kosova, të cilat më pas i shisnin në farmaci të ndryshme në Tiranë, Elbasan, Fier, dhe Vlorë, me çmime shumë të larta.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore